Lajme

Arrestohet një serb i Kosovës, dyshohet për vrasjen e dhjetëra civilëve në Lipjan gjatë luftës

Prokuroria Speciale e Kosovës, përmes një komunikate, njofton se gjatë ditës së sotme është arrestuar i pandehuri G.S., i nacionalitetit serb, shtetas i Kosovës, i cili dyshohet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile, transmeton Koha.net.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se, sot, gjatë ditës është arrestuar i pandehuri G.S., i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë ka kryer veprën penale ‘Krime Lufte kundër popullsisë civile’, në kundërshtim me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë (KPRSFJ) lidhur me Nenin 3 të Konventës së katërt të Gjenevës, po ashtu e penalizuar me nenin 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë periudhës kohore, 15 dhe 16 prill 1999, i pandehuri G.S., në bashkëkryerje me të pandehurit tjerë, pjesëtarë të njësive rezervë të njësive ushtarake dhe policore të Serbisë, gjatë një ofensive të drejtuar kundër popullsisë civile në Komunën e Lipjanit dhe lokaliteteve përreth, me përdorimin e forcës ushtarake, dhunës, plaçkitjes dhe frikësimit, fillimisht kanë dëbuar popullsinë civile shqiptare nga shtëpitë e tyre, e pastaj nga familjet të cilat ishin duke u përpjekur që të largohen nga sulmet dhe dhuna, të pandehurit i kanë ndarë dhjetëra persona, të cilët pastaj i kanë vrarë.

Me këto veprime, Prokuroria Speciale thotë se i pandehuri G.S., në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë, ka kryer veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”.

Prokuroria Speciale, po ashtu, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë –Departamenti Special, caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.S., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën e lartcekur.