Të fundit

Arifi: Lamë pas një vit të suksesshëm, 2024 do të jetë edhe më i suksesshëm

Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi në një postim në rrjetin social ka paraqitur shkurtimisht vitin që po e lëmë pas. Arifi ka uruar qytetarët e komunës së Bujanocit me rastin e ndërrimit të viteve dhe njëkohësisht i ka premtuar se viti i ardhshëm do të jetë edhe më i suksesshëm.

“Qytetarë të dashur të komunës së Bujanocit, 

Dita e sotme është dita e fundit për vitin 2023. Kaluam edhe një vit së bashku duke punuar çdo ditë për të përmirësuar kushtet e jetesës së gjithësecilit. 

Menaxhuam me një buxhet prej 1.200.000.000,00 dinarë apo mbi 10 milionë euro, të cilin e shfrytëzuam në dobi të qytetarëve tanë. Këto mjete i investuam në rregullimin e infrastrukturës rrugore, ndriçimin publik, ndikuam në përmirësimin e kushteve në arsim, siguruam transportin falas për gjimnazistët, i ndihmuam studentët me bursa studentore, shpërblyem nxënësit e dalluar, mundësuam aftësimin profesional të të rinjëve tanë, i siguruam asistentë personal nxënësve me pengesa në zhvillim, si dhe renovuam shkolla. Të gjitha këto vetëm në sferën e arsimit. 

Përveç arsimit, kontribuam në zhvillimin e bujqësisë, të bizneseve të vogla dhe të mesme, përkrahëm shoqëritë kulturoro – artsitike, klubet sportive, mediat, organizatat joqeveritare, si dhe u kujdesëm për personat me gjendje të rëndë sociale.

Për të gjitha këto, falemnderoj anëtarët e Këshillit Komunal, këshilltarët e Kuvendit Komunal, kryeshefat e drejtorateve komunale dhe të gjithë bashkëpunëtorët, të cilët u angazhuan që ditët e mira të vijnë te çdo qytetar. 

Me shpresën se viti 2024 do të jetë edhe më i suksesshëm se ky që po lëmë pas, ju uroj shëndet të gjithëve dhe Gëzuar Viti 2024.!” Ka shkruar Arifi.