Të fundit

Arben Ajredini nga Presheva i pari në botë në lëndën e matematikës

ARBEN AJREDINI, që tani kalon në vitin e tretë të Fakultetit të Matematikës (batchelor) në Universitetin e PRISHTINËS, ditë më parë e ka fituar MEDALJEN e ARTË, në OLIMPIADËN e 28-të NDËRKOMBËTARE të MATEMATIKËS! Këtë sukses kaq të madh ai e ka arritur në konkurencën e 600 STUDENTËVE nga 113 vende të BOTËS! Arben Ajredini e përfaqësoi Republikën e KOSOVËS, derisa Shkollën e fillore dhe atë të Mesme i ka të kryera në PRESHEVË!

Në këtë OLIMPIADË medalje fituan edhe, DUART NISHEFCI dhe BESFORT SHALA të ARGJENDËTËN, si dhe ANDI SEJDIU të BRONZTËN!

Medalistët e Olimpiadës së 28-të Ndërkombëtare të Matematikës për Studentë Universitarë – IMC 2021 u pritën në takim nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti përgëzoi Ekipin e Kosovës dhe Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës për përfaqësimin e denjë të vendit në këtë garë të rëndësishme dhe suksesin e arritur të kurorëzuar me katër medalje. Pas triumfit sportiv në Olimpiadën e Tokios, ky sukses i Kosovës në Olimpiadën e Matematikës shton krenarinë për rininë tonë dhe besimin në potencialin e saj. Në të njëjtën kohë na rikujton përgjegjësinë që institucionet shtetërore kanë për identifikimin dhe kultivimin e potencialit të të rinjve.

Në takim ishin matematikani Valmir Krasniqi, trajner e lider i ekipit dhe Koordinator i olimpiadave në Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës dhe profesor Kajtaz Bllaca, prodekan në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore dhe studentët medalistë të Departamentit të Matematikës në Universitetin e Prishtinës, Arben Ajredini, fitues i medaljes së artë, Duart Nishefci, fitues i medaljes së argjendtë, Andi Sejdiu, fitues i medaljes së bronztë, si dhe student i Universitetit të Primorskës në Sloveni, Besfort Shala, fitues i medaljes së argjendtë.

Anëtarët e ekipit të Kosovës e njoftuan kryeministrin Kurti lidhur me pjesëmarrjen në IMC 2021, një ndër garat më të rëndësishme botërore të matematikës për studentë universitarë, në të cilën marrin pjesë studentë nga universitete prestigjioze nga të gjitha anët e botës. Këtë vit në IMC morën pjesë rreth 600 studentë nga mbi 113 universitete, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.