Lajme

Ambasadori O’Connell: Punësimet politike po e shkatërrojnë Kosovën

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka thënë se korrupsioni dhe nepotizmi janë dy problemet më serioze me të cilat po përballet Kosova.

Përgjatë një konference për projektin e Ambasadës së Britanisë për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese në shërbimin civile dhe institucione të pavarura theksoi se ky projekt ka kthim prapa, ngase ndikimet në punësime vazhdojnë të jenë të mëdha.

Madje sipas O’Connell, dështimi i këtij projekti është edhe dështimi i Kosovës.

“Suksesi i këtij projekti është sukses i Kosovë, por edhe dështimi i tij është i Kosovës. As ne si ambasada as partnerët nuk marrim vendime, vendimet merren nga zyrtarët e Kosovës. Për fat të keq edhe sivjet kemi emërim të pozitave të pakualifikuara. Agjencioni kosovar për Verifikim të Pronave është shembull i tillë”, ka tëhnë O’Connell.

Ai tutje përmendi edhe një rast sipas të cilit personi edhe pse është i kualifikuar nuk është përzgjedhur sepes nuk ka asnjë lidhje politike.

“Rasti konkret është Enis Berisha ai i cili deri më tani është vlerësuar mirë në shtatë procese madje në disa vende vlerësohet si kandidat me shumë pikë, por asnjëherë nuk është emëruar në asnjë institucion. Një qasje e tillë po shkatërron institucionet siç po shohim me Postën. Ne nuk kemi heqë dorë nga Kosova sepse besojmë në qytetari aktive e cila do kërkojë llogari te të përzgjedhurit e saj. Besojmë se vetëm me profesionalizëm do përmirësohet qeverisja e saj.Pajtohem me kryetarin që Kosova duhet ta bëjë këtë punë vet, pajtohem me kryeministrin që thotë se konsolidimi i shtetit buron nga ne”, shtoi tutje ambasadori britanik O’Connell.

Para një vit e gjysmë Qeveria e Kosovës dhe Ambasada britanike kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit lidhur me rekrutimin e pozitave të larta drejtuese.

Memorandumi në fjalë ka për qëllim që procesi i rekrutimit të personave në krye të agjencive të jetë kredibil, ndërsa gjatë procesit kishte të angazhuar edhe ekspertë nga kjo ambasadë.

Marrëveshje u nënshkrua edhe me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, për vazhdimin e projektit për rekrutimin e zyrtarëve profesionalë në pozita të larta drejtuese. Kjo ambasadë dhe ajo amerikane reaguan për vendimin e Kuvendit për të zgjedhur Naser Shalën, drejtor të sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Të pranishëm në konferencën e sotme ishin edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj si dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.