A ka kapacitet Cakaj për Ministër të Jashtëm? Flet ish-ministri Bushati
Me apo pa Ditmir Bushatin Ministër, politika e jashtme është nga ato fusha konservatore nuk ka peshë të madhe individi.
Kështu deklaron ish-Ministrin i Jashtëm Bushati ku pyetet mbi pasardhësin e tij Gent Cakaj.
Bushati: Çdo person që ushtron një përgjegjësi publike duhet të japë diçka nga vetja. Por politika e jashtme është një nga ato fusha konservatore të shtetit që ndryshon më me vështirësi ose shumë pak nga fushat e tjera. Ministri i Jashtëm është i munguari i madh në politikë dhe për ekipin. Dhe është i munguari dhe i familjes. Por nga ana tjetër unë kam zgjedhur të bëj politikanin.
I ftuar në “Tempora” në TV Ora, Bushati tha se me Gentin ka punuar edhe kur ishte Ministër dhe ka pasur marrëdhënie të mira.
Bushati: Kam punuar për një periudhë të shkurtër kohe, Genti drejtoi të gjithë procesin analitik. Kemi pasur marrëdhënie të mira si me çdo bashkëpunëtor tjetër.
Por a ka kapacitet Cakaj për të mbajtur një peshë kaq të madhe?
Bushati: Fakti që Kryeministri ka bërë një zgjedhje të tillë besoj se …Gjykimet e gjithësecilit mund të jenë subjektive. Dirigjenti i një orkestre, kapiteni apo trajneri i një ekipi është Kryeministri. Nuk duhet të biem pre e ekzagjerimeve, kur vjen puna për një ekip vendimin e jep Kryeministri.
Një koment pati edhe rreth debatit të pajisjes së Cakaj me certifikatën e sigurisë.
Bushati: Në dijeninë time ka pasur pretendime të tilla. Ka një kërkesë që është institucionalizuar për një komision hetimor në kuvend për ta trajtuar këtë çështje dhe besoj se të gjithë ne duhet të fillojmë të edukohemi dhe të respektojmë institucionet për të thënë fjalën e tyre.