Tautologjia, nga Idro Seferi
Një plak nga Borca, duke u kthyer nga protesta e fundit, më dhuroi një monedhë të cilën e kishte punuar “0 euro” me foton e Karl Marksit. Dhe, një fotografi. Më futi në oborr dhe më ofroi kafe për të më thënë se ka “edhe nga ne…”, duke me uruar mirëseardhje. Politika në Ballkan ka përgjegjësi për ta çuar procesin më shpejt përpara pasi ajo ndikon në jetën e çdo njeriu. Shumica e ballkanasve e dinë këtë dhe shpesh rrugëdalje e shohin vetëm emigracionin.
Tautologjia është një nocion me etimologji greke. Tauto përkthehet-njësoj dhe logos që nënkupton fjalë. Pra pak a shumë fjalë e njëjtë. Retorika e njeh si përsëritje të një qëndrimi të njëjtë apo mendimi me fjalë të njëjta apo të ndryshme, duke mos paraqitur argumente të forta. Në aspektin logjik tautologjia përshkruhet si përsëritje e konkluzionit të njëjtë me shprehje të ndryshme gjuhësore, por si zëvendësim për dëshminë. Në matematikë që për shumicën është më i njohur, paraqet një rezultat të saktë, pavarësisht rrethanave. Dy versionet e para, retorik dhe logjik, më shumë i përkasin ngjarjeve politike në Ballkan. Ai matematik, kryesisht pritjeve të banorëve.
Dy kanë qenë fjalët që më kanë bërë shumë përshtypje kur kam qenë I vogël “bëhet mirë” edhe “na vjen dita edhe neve”. E para gjithmonë përdorej disi në momente dëshpërimi, mjet ngushëllimi kur statistikat e ngjarjes nuk ofrojnë shumë shpresë. Shqiptarët e përdorin këtë shprehje, por edhe të gjithë popujt e Ballkanit. Ngjashëm dhe ndryshëm në nuanca përdoret si fjalë.“Hajt se bohet mirë”, thonë shembull edhe në momentin kur je duke u “fundosur”.Simbolika e e shprehjes “na vjen dita edhe neve”, kryesisht përdoret me ngrit moral në momente poshtëruese. Shembull kur të keqtrajton fqiu ose dikush që në atë moment ka fuqi absolute mbi ty. Ose shembull partia në pushtet. Në Kosovë e përdorin edhe një shprehje tjetër: “me rendësi me pas shneten”. Këto shprehje disi e përshkruajnë shumë edhe jetën, por edhe politikën në Ballkan. Kur bëhen të sinqertë gjysma e më shumë e ballkanasve nuk u besojnë shteteve të tyre. Gjysma mendojnë se e gjithë mënyra për mbijetesë është me shujtë ose me hesht.
Ngjarjet politike në Ballkan pak a shumë ka decenie që kanë eskaluar. Këto ngjarje i kanë bërë njerëzit ta shohin vetën në vendlindjet e tyre si të përkohshëm dhe sidomos, mbi të gjitha, si vend të detyrueshëm. Duke menduar se si e personifikon këtë gjë që u përzihet ballkanasve në stomak e nuk dinë pse ndodh dhe si quhet kjo e vjellë, prapë nuk i gjeta emër si bakterije, por ia gjeta shkaktarin: tautologjia. Ballkanasit e kanë pritur gjithmonë një ditë më të mirë, por nëse shikojmë ngjarjet e të shkuarës së afërt, mund ta kuptojmë se këto janë realitet abstrakt. E qartë është në Ballkan vetëm që diçka nuk shkon. Ka patur këtu protesta pafund në të gjitha vendet, përmbysje pushtetesh, shpallje lirisht, zgjedhjet e para demokratike, të lira, zgjedhjet pas, rikthime, kalime e tejkalime, zgjedhje pas ndarjeve të shteteve, pas vdekjeve të burrështetasve dhe elementeve të tjera shoqërore. Por, disi në Ballkan prapë dicka nuk shkon.
Një ditë para takimit të Bërnos që ndodh në Tiranë. Bërno është një proces shëtitës dhe i rëndësishëm. Është paralajmëruar që në Beograd nga kreu slloven që në maj do të flitet edhe për Kosovën. Ajo që në media shihet një ditë para është po ashtu tradicionale. Kam përshtypjen se rezultatet do të jenë të vogla, përveç nëse ka ndonjë dakordim nga Berlini që mund të paraqitet si arritje e takimit në kryeqytetin shqiptarë. Por, gjithsesi nuk dua të flas për marrëveshjet politike pasi situata është e qartë. Vendet e Ballkanit kanë tejkaluar limitet kohore kur problemet e tyre është dashur të arkivohen dhe myken. Por, meqë Perandoria Osmane gjithandej ka qëndruar pesë shekuj, përse jo edhe tranzicioni. Luftërat kanë qenë gërshërët e së ardhmes për vendet e ish-Jugosllavisë, kurse Shqipëria ka patur histori tragjike në vetvete. Në rrugëtimin e tyre kur Bashkimi Evropian po forcohej duke i dhënë numër flamurit me yje, shumicën e vendeve procesi I ka harruar. Rumania dhe Bullgaria kanë qenë dy shtete me të cilat jugosllavët e pasur janë tallur gjithmonë pasi për ta nuk kanë patur konsideratë. Tani ata janë në BE bashkë me kroat e slloven.
Nuk është e udhës të shpërndahet vetëm zi e terr. Por, realiteti duhet thënë të paktën për dijeni.
Në një intervistë në gjuhën serbe pata thënë se të gjithë janë të traumatizuar prej luftërave. Kjo doli si magji. Në mëngjes mora disa telefonata ta përsërisja nëpër televizione. Dhe, kjo u duk si zbulim. Por, është fakt që gjeneralizimi apo përgjithësimi nuk është kulturë logjike. Lufta është stres në vetvete dhe traumatizimi nuk do të thotë se nuk ndodh me apo pa të drejtë. Përgjithësimi po ashtu i njerëzve si kriminel gjenetik, trafikant apo terrorist është natyrisht kundër logjikës. Por, kryesisht ajo që shtetasit e këtyre vendeve shumë kulturore mendojnë ose dinë më shumë është e keqja, emrat pezhorativ, karakteristikat gjeneralizuese dhe fyerjet e historitë e trishta. Nuk është koha e bashkim vëllazërimit, por as e logjikës. Shembull shumë serb mendojnë se të gjithë shqiptarët dinë të pjekin bukë..Kështu mendojnë serbët për shqiptarët.“A grahin hala jugo?” është pyetja e shpeshtë që ma bëjnë shqiptarët e Kosovës kur flitet për jetën në Serbi. Kryesisht barsoletat jugosllave i përshkruajnë malazezët si përtac, boshnjakët si budallenj. Kurse në konstruksionet e zakonshme për shembull një shqiptar, një serb edhe një boshnjak, apo një serb, një malazez dhe një boshnjak, natyrisht në varësi të atij që e tregon ai edhe fiton. Këto janë gjeneralizime për shkak të mungesës së kontakteve dhe për dallim prej gjeneralizimeve në funksion politik, barsoletat nuk janë të dëmshme. Herë herë është edhe ndonjë e mirë. Por, problem i klases politike në Ballkan është qeverisja ad hoc dhe mos ndryshimi, por mbi të gjitha përsëritja.
Përgjithësimet. shembull nuk i lejojnë ngjasimet në shoqëri. Kontaktet e tilla janë të natyrshme, por të rralla pasi aty nuk janë në vija institucionale. Problemet ndëretnike, politike, dhuna e pranishme, presion e konfrontimet natyrisht që ndikojnë dhe nuk besoj që duhet të jesh psikolog ti konstatosh kaq trauma. Shembull banorët e Maqedonisë së Veriut e kanë dëgjuar për 27 vjet negocimin për emrin.Gati po aq për këtë problem kanë dëgjuar edhe banorët e vendeve për rreth.
Në Borca një bukëpjekës nga Kosova e kanë dëgjuar të gjithë Ballkani dhe për të kanë raportuar mediat nga e tërë bota. Kam shkuar në këtë “qytezë” të Beogradit disa herë. Një herë kam qenë aty tek ca miq për 1 maj. Festa e punëtorëve. Herën e dytë para furrës “Roma”.Historia është bërë e ditur dhe nuk dua ta përsëris. Gjatë protestës së dytë kundër tij tani ishte gjithçka më zyrtare. Tamam si protestë. Frika për pronarin nuk ka se si të mos jetë. Po rrija diku në fund të turmës dhe në mes. Zakonisht nuk e kam traditë të fshihem nëpër ngjarje sado të vështira janë ato. Teksa protestuesit përfunduan fjalimet dhe performansin para furrës së parë të prizrenasit, u nisën tek furra e tij e dytë. Dhjetë minuta shëtitje. Aty dola në krye të kolonës bashkë me kolegët. Përfundoi protesta u kthyem në këmbë. Në gjysmën e rrugës doli një zotëri. “Më fal a mund ta bëj një dhuratë?”, kështu më tha plaku me rroba punëtorësh me tiranda, mjëkër bardhë e sheshir me thurje druri. E pash… “nuk mund ta refuzoj një kërkesë të tillë”, I thash dhe u nisa drejt portës. Aty në murin e jashtëm kishte një pikturë. Vodha më shikim drejt oborrit dhe pashë qindra skulptura. E dija që jam shumë i sigurt. “A je i sigurt…”, më pyeti operatori im që me origjinë është nga zona.
Më tregoi punimet e tij, ftoi bashkëshorten dhe më tha të kam parë në televizor. Ideja e tij ishte të më bënte dhuratë një gjest mikpritje, derisa po kthehesha nga protesta ultranacionaliste.“Dua të të them që ka nga ne…dhe je i mirëpritur këtu”, më tha. Ika me dhuratën dhe e falënderova. Rrugës më ngeli në mendje zbulimi i tij “ka nga ne…”.Kjo është në fakt një simbolikë e asaj që ballkanasit e kanë të përbashkët, për të treguar mirësi në kohë të vështira. Këtë e kanë edhe shqiptarët. Por, ka nga ne në këtë rast nënkupton llojin dhe frymën. Ka në Ballkan serb e shqiptarë që ndajnë bashkë ide, ka kroat e serb, e maqedonas e malazez, mysliman e serb dhe nga të gjitha llojet. Ata thjesht jo gjithmonë janë në dijeni të njerëzve si plaku nga Borca apo njerëz të tjerë. Politika flet shumë dhe nuk lejon.
Mungesa e energjisë pozitive e ka kthyer shpesh Ballkanin në një vend malinj dhe numri i diasporës vetëm është thelluar. Problemi ndodh kur tani nuk duan të rrinë shumë as ata që kanë.
Shumica e ballkanasve e dinë se shtet e tyre nuk funksionojnë shpesh dhe pas një kohë të shkurtër nëse asgjë nuk i lidhë, i lidhë mafia, korrupsioni, ankesat, gjykimet, gjobat, administrata, zvarritja, mjeku, spitali, operacioni, fotografi, mungesa, keqtrajtimi, pritja dhe qindra fjalë e nocione të tjera. Ata e dinë që nuk janë fajtorë shpesh për fatin e tyre dhe sistemet ku jetojnë, por ata thjeshtë nuk e kanë idenë si të dalin nga “tautologjia” përveç emigracionit.