VV, dega në Shqipëri: Vuçiqi e Dodiku nuk janë të mirëpritur në Tiranë – do të ketë reagim qytetar
Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Shqipëri, ka reaguar ndaj paralajmërimit për një vizitë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Milorad Dodikut të Bosnjës, në Tiranë.
Kjo Qendër e VV-së paralajmëron se do të ketë reagim qytetar nëse Vuçiqi dhe Dodiku shkojnë në Tiranë.
Ajo u ka bërë thirrje institucioneve të Shqipërisë të sqarojnë menjëherë dhe publikisht se kush është ftuar e kush shkon në Tiranë në datat 8 dhe 9 maj, dhe cilat do jenë temat e këtij takimi.
“Ky sqarim nuk mund të zëvendësohet me fjalë si ‘janë ftuar liderët e Ballkanit’, apo qoftë edhe duke thënë se do të vijnë përfaqësues të BE-së, si Federica Mogherini, e cila ka mbajtur hapur një qëndrim në favor të politikave të Vuçiqit. Liderët e Ballkanit nuk janë të njëjtë në raport me shqiptarët dhe Shqipërinë, dhe prandaj nuk mund të trajtohen të gjithë njëlloj nga shteti shqiptar. Nëse Vuçiqi është ftuar e do të vijë në Tiranë, me ose pa vëllanë e politikave të tij ekstremiste, Dodikun, atëherë reagimi qytetar ka për të qenë i pashmangshëm”, ka deklaruar Qendra e VV-së në Shqipëri në një reagim dërguar mediave.
Kjo Lëvizje thotë të jetë informuar nga mediat dhe përfaqësues të huaj për vizitën e dy liderëve në Tiranë në datat 8 dhe 9 maj për të marrë pjesë në takimin “Brdo-Brione”, ndërsa thekson se në Shqipëri për këtë vizitë të tyre nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar nga asnjë prej institucioneve të Republikës së Shqipërisë.
“Institucionet kanë zgjedhur heshtjen dhe mostransparencën, pikërisht në një periudhë kur Serbia synon haptazi ekspansion në Kosovë e në Bosnje. Vuçiqi dhe Dodiku kanë gjetur bashkëpunëtorë për këto projekte supremaciste serbe edhe në mesin e pushtetarëve shqiptarë si Presidenti Hashim Thaçi, që si politikan ka marrë vazhdimisht përkrahjen nga Kryeministri Edi Rama, duke vendosur në rrezik interesat e gjithë kombit shqiptar. Mediat kanë raportuar gjithashtu se temë kryesore e kësaj vizite do të jetë dialogu Kosovë-Serbi”, thotë Qendra e VV-së në Shqipëri në reagimin dërguar mediave.
VV kujton se Aleksandar Vuçiqi ka qenë Ministër i Informacionit në qeverinë e Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë dhe se Vuçiqi mbetet i njëjti, këtë e tregon edhe deklarimi i tij i kohëve të fundit se Millosheviqi ka qenë “një lider i madh”.
“Ai dhe kabineti i tij qeverisës vazhdojnë të mohojnë sistematikisht masakrat e shumta që kanë ndodhur në Kosovë, 20 vjetori i të cilave po shënohet këtë vit për çdo javë në komunat e ndryshme të Kosovës. Vuçiqi dhe Serbia nuk kanë kërkuar kurrë falje për krimet e tyre, nuk e njohin dhe e luftojnë pavarësinë e Kosovës, nuk kanë dënuar asnjë kriminel për 20.000 përdhunimet e grave shqiptare gjatë luftës, nuk i kanë kthyer mbi 1600 të pagjetur, nuk kanë paguar kurrë dëmshpërblimet e luftës, nuk kanë kthyer fondin pensional dhe artefaktet e vjedhura kulturore, dhe vazhdojnë të shtypin për çdo ditë të drejtat politike e kulturore të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që janë duke përjetuar edhe një gjendje të mjerueshme ekonomike”, deklaron kjo Lëvizje.
Më tej, Qendra e VV-së në Shqipëri thotë se Milorad Dodiku drejton “Republika Srpskan” që, siç thotë kjo Lëvizje, është themeluar mbi gjenocidin e Serbisë ndaj boshnjakëve.
“Vendimi i Tribunalit të Hagës për ta dënuar për krime lufte dhe gjenocid udhëheqësin e ‘Republika Srpskas’, Radovan Karaxhixhin, nuk vendosi drejtësi, pasi projekti i tij shoven mbijetoi dhe drejtohet sot nga Dodiku. Politikat e Dodikut janë arsyeja pse Bosnje Hercegovina është kthyer në një shtet që nuk funksionon normalisht, dhe që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Vuçiqi dhe Dodiku janë aleatët kryesorë të Putinit në Ballkan, dhe mënyra se si Rusia tenton të shtrijë ndikimin e saj ushtarak, ekonomik dhe politik në rajon”, thekson VV-ja e Shqipërisë.
VV-ja në Shqipëri deklaron se tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë është një mjet i pamjaftueshëm për të vendosur masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, e cila praktikon ilegalisht “dumping” në Kosovë e Shqipëri, duke subvencionuar produktet e saj për t’i shitur nën çmimin e tregut, me synimin për të dominuar dhe shkatërruar produktin vendas shqiptar, e për pasojë ekonominë tonë kombëtare.
“Marrë parasysh luftën politike dhe kërcënimet e vazhdueshme ushtarake, bashkë me ofendimet e vazhdueshme, të qeverisë së Vuçiqit ndaj kombit shqiptar, masat e reciprocitetit ndaj Serbisë duhen shtuar dhe plotësuar, dhe jo hequr apo pezulluar”, shprehet dega e VV-së në Shqipëri.