Perfundon stërvitja e parë e përbashkët ushtarake e Serbisë dhe NATO-s u afër Bujanocit
Stërvitja e parë e përbashkët ushtarake taktike shumëkombëshe mes Ushtrisë Serbe dhe NATO-s është mbajtur në poligonin “Borovac” pranë Bujanocit, me pjesëmarrjen e rreth 600 ushtarëve nga Serbia, Italia, Rumania dhe Turqia.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe zyrtarë të lartë ushtarakë dhe diplomatikë, përfshirë ministrin serb të Mbrojtjes Bratislav Gašić, shefin e Shtabit të Përgjithshëm Milan Mojsilović, si dhe përfaqësues të NATO-s, ndër ta zëvendësndihmës sekretari i përgjithshëm Kevin Hamilton dhe komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, George Wyckoff.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, stërvitja përfshiu simulime të ndryshme taktike si reagimi ndaj sulmeve në pika kontrolli, evakuimi mjekësor, bllokada dhe kontrolli i terrenit, zbulimi, luftimet në zona të banuara dhe operacionet me helikopterë.
Udhëheqësi i stërvitjes, koloneli Branislav Stevanoviq, deklaroi se ushtrimi ishte i përshtatur për njësitë që marrin pjesë në misione paqeruajtëse dhe kërkonte nivel të lartë përgatitjeje dhe koordinimi mes forcave pjesëmarrëse.
Nga ana tjetër, zyrtari i NATO-s Kevin Hamilton tha se ushtrime të tilla kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, duke theksuar se NATO synon të avancojë marrëdhëniet me Serbinë duke respektuar neutralitetin e saj ushtarak.
Stërvitja u realizua në kuadër të programit “Partneriteti për Paqe”, si vazhdim i bashkëpunimit mes Serbisë dhe NATO-s, me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
