Pas një shekull heshtje, hapen dyert e Xhamisë “Mahmut Beu” në Manastir
Deputetët në seancën e 100-të të sotme me 64 vota “për”, 15 “kundër”, miratuan Ligjin për Këshillin e prokurorëve publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila është pjesë e agjendës reformuese.
Zëvendës ministri i Drejtësisë, Alen Dereban, theksoi se Ligji i ri është hartuar në një procedurë transparente, duke përfshirë ekspertë të fushës dhe të gjithë të përfshirë në zbatimin e tij, dhe është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj të gjitha dobësive të zbuluara në ligjin e mëparshëm.
“Ligji u dërgua për mendim në Komisionin e Venecias dhe u kthye me një mendim pozitiv. Ai zbaton të gjitha rekomandimet e organeve evropiane”, theksoi Dereban.
Me zgjidhjen e propozuar ligjore, theksoi, vendosen risi thelbësore që synojnë përforcimin e pavarësisë, profesionalizmit dhe transparencës në punën e Këshillit dhe të prokurorisë publike në tërësi.
“Me këtë ligj përforcohen ndjeshëm kriteret për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të prokurorëve publikë, rregullohet një procedurë transparente për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të prokurorëve publikë, rregullohet procedura disiplinore dhe procedura për zgjedhjen e prokurorëve publikë, rritet publiciteti dhe transparenca në punën e Këshillit të prokurorëve publikë, si dhe rregullohet procedura e ankesës dhe padisë në rast të ekzistimit të një kontesti administrativ. Ky ligj është reformues dhe nuk shoh arsye pse të mos miratohet njëzëri nga ana e Kuvendit”, tha Dereban.
Për deputeten e PRSD-së, Sonja Mirakovska, ky ligj nuk përfaqëson një reformë, pasi, sipas saj, nuk jep përgjigje kyçe për vërejtjet e Komisionit të Venecias. Duke iu referuar disa prej amendamenteve të opozitës që nuk u pranuan, ajo tha se ata do të votojnë kundër kësaj zgjidhjeje ligjore.
“Ky ligj nuk është reformist. Nuk i jep përgjigje detyrës sonë të cilën e kemi nga Bashkimi Evropian. E kemi thënë shumë shpesh se për një reformë të mirë, nuk mjafton të kemi një debat publik në të cilin do të heshtim, ndërsa ekspertët do të vijnë dhe do të flasin. Ka nevojë për përfshirje serioze të opozitës, një bisedë midis nesh, por kjo nuk ndodhi. Ne nuk do ta mbështesim këtë ligj, do të votojmë kundër tij, sepse besojmë se kjo nuk jep përgjigje, kjo nuk është një reformë”, tha Mirakovska.
Kuvendi miratoi ligjet për ratifikimin e Marrëveshjes kornizë për bashkëpunim ushtarak dhe bashkëpunim në fushën e arsimit midis Qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, si dhe Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Evropiane të Investimeve për themelimin e zyrës përfaqësuese të Bankës Evropiane të Investimeve në Maqedoninë e Veriut.
Deputetët pranuan leximin e parë të projpozim-ligjeve për pagesën e të rinjve, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zonat industriale-të gjelbra dhe për themelimin e Fakultetit të shkencave mjekësore dhe shëndetësore në kuadër të Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir dhe i dorëzuan ato për një lexim të dytë të mëtejshëm. Ata nuk e miratuan propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për kontributet e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të dorëzuara nga deputetët e të Majtës.
