Mustafa: Në Washington D.C., në zemër të Capitol Hill, sot u shënua një moment historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës
Në Washington D.C., në zemër të Capitol Hill, sot u shënua një moment historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për kauzën tonë të drejtë e shumëvjeçare. Në seancën dëgjimore të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, u prezantua Rezoluta e parë në historinë e Kongresit Amerikan dedikuar në mënyrë të veçantë çështjes së Luginës së Preshevës.
Kongresisti Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, theksoi qartë se “ka ardhur koha që Serbia të mbahet përgjegjëse për diskriminimin etnik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, duke ngritur në nivelin më të lartë institucional të Shteteve të Bashkuara shqetësimet tona të dokumentuara ndër vite.
Rezoluta i kërkon Departamentit të Shtetit të hartojë dhe paraqesë një raport të detajuar mbi shkeljet sistematike të të drejtave të shqiptarëve në Luginë, përfshirë:
• pasivizimin e adresave, të cilin Kongresi e përkufizon si “spastrim etnik me mjete administrative”;
• mosnjohjen e diplomave dhe pengesat e vazhdueshme në ushtrimin e të drejtave themelore;
• mospërfaqësimin proporcional në institucionet shtetërore dhe organet publike;
• si dhe praktika të tjera diskriminuese të konfirmuara nga organizata kredibile ndërkombëtare dhe vendore.
Me këtë veprim, Kongresi Amerikan dërgon një mesazh të fuqishëm dhe të qartë:
Lugina e Preshevës nuk është e harruar. Të drejtat e shqiptarëve janë çështje ndërkombëtare dhe nuk mund të vazhdojnë të shkelen pa pasoja.
Ky është një hap i madh drejt drejtësisë, llogaridhënies dhe barazisë, dhe një dëshmi se kur zëri ynë është i bashkuar dhe i artikuluar me profesionalizëm, dëgjohet deri në forumet më të larta të botës demokratike.
Ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë për kontributin jetik të z. Joseph DioGuardi, z. Faton Bislimi, si dhe të gjithë miqve, aktivistëve e profesionistëve që me përkushtim të palodhur e bënë të mundur këtë arritje historike, përfshirë edhe takimin tonë me Kryetarin Self në Dallas në tetor 2025.
Sot u hap një kapitull i ri për Luginën e Preshevës.
Sot u dëshmua se drejtësia mund të vonojë — por kur vjen, vjen me zë të madh.
