Çështja e Luginës së Preshevës diskutohet në Kongresin amerikan, Keith Self e quan të patolerueshëm diskriminimin ndaj shqiptarëve
Çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është bërë zyrtarisht pjesë e agjendës së politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Kjo ndodhi sot në një dëgjim kongresional në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit, në Nënkomitetin për Evropë, të udhëhequr nga kongresisti Keith Self.
Gjatë fjalës së tij, Self deklaroi se pasivizimi administrativ dhe diskriminimi sistematik i shqiptarëve etnikë nga autoritetet serbe janë të papranueshme dhe përbëjnë rrezik të vërtetë për destabilizimin e rajonit, veçanërisht në kontekstin e agresivitetit të Serbisë ndaj Kosovës.
Ky qëndrim mori mbështetje të gjerë nga dëshmitarë dhe anëtarë të ndryshëm të Kongresit.
Në seancë paraqitën qëndrimet e tyre:
Edward P. Joseph (Johns Hopkins SAIS)
Luke Coffey (Hudson Institute)
Max Primorac (Heritage Foundation)
Disa kongresistë nga të dyja partitë u pajtuan se politika e jashtme amerikane duhet të udhëhiqet nga standarde të qarta dhe se çështja e Luginës së Preshevës nuk mund të anashkalohet më.
Në diskutim u nënvizua gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet të insistojnë në njohjen e Kosovës nga Serbia, duke theksuar se Kosova mbetet aleati më i besueshëm i SHBA-ve në Ballkan.
