Investimet infrastrukturore: Fillon asfaltimi i rrugës në fshatin Svinjishtë
Komuna e Preshevës po shënon përparim të qëndrueshëm në të gjitha fushat, nga ekonomia dhe arsimi, te kultura, mirëqenia sociale dhe infrastruktura. Një tjetër projekt i rëndësishëm ka filluar në Svinjisht, asfaltimi i rrugës kryesore, duke sjellë lehtësim të qarkullimit dhe rritje të sigurisë për banorët e zonës.
Kryetarja e Komunës, Ardita Sinani, theksoi se ky investim është dëshmi se çdo qytetar, pavarësisht largësisë apo vendbanimit, mbetet prioritet i institucionit.
“Asfaltimi i rrugës së Svinjishtës tregon se po punojmë njësoj në çdo pjesë të territorit, duke sjellë kushte më të mira jetese dhe lëvizjeje për të gjithë,” u shpreh ajo.
Projekti është pjesë e strategjisë së zhvillimit të balancuar në të gjitha vendbanimet e komunës, me synim për të krijuar një Preshevë moderne, funksionale dhe me standard më të lartë për qytetarët.
Punimet infrastrukturore do të vazhdojnë edhe në vendbanime të tjera, në kuadër të planit të komunës për përmirësimin e rrjetit rrugor dhe shërbimeve publike.
