Lajme

Vuçiqi: Nesër t’i vendosim sanksione Rusisë dhe ta njohim Kosovën, kështu jemi në BE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media në Bruksel të martën mbrëma tha se Serbia do të pranohej në Bashkim Evropian “nëse do t’i vendoste nesër sanksione Rusisë dhe ta njihte Kosovën”, raporton “Kossev”. 

Ai ka qëndruar në Bruksel gjatë të martës, për të marrë pjesë në Samitin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian të organizuar nga “Euronews”. 

Ai gjatë takimit në Bruksel ka njoftuar se ka pasur takime me zyrtarë evropianë. Po ashtu në “Instagram” ka njoftuar se është takuar edhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen. 

“Në një bisedë të hapur, konfirmova angazhimin tonë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja platformë që mund të sigurojë paqe, stabilitet për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë dhe Metohi. Ne u përqendruam në hapa konkretë, zbatimin e plotë dhe konsistent të marrëveshjeve të arritura deri më tash, ulje të tensioneve në terren dhe mbrojtje të të drejtave dhe sigurinë e popullit serb. Në veçanti theksova rëndësinë e formimit të AKS-së, në përputhje me marrëveshjet, si një element kyç i një zgjidhjeje të qëndrueshme”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.