Rexhepi reagon ndaj Trupit Koordinues: “Flamuri ynë nuk negociohet dhe nuk hiqet kurrë nga institucioni i shqiptarëve”
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), Enkel Rexhepi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke theksuar se institucioni që ai drejton nuk do të pranojë asnjë lloj presioni apo kushtëzimi politik.
Në reagimin e tij, Rexhepi ka bërë të ditur se Trupi Koordinues kishte premtuar rritje të fondeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar, por ky premtim nuk është realizuar. Ai ka zbuluar se përfaqësues të këtij trupi kanë kërkuar heqjen e flamurit kombëtar nga ambientet e KKSh-së si kusht për nënshkrimin e një marrëveshjeje të bashkëpunimit për projektin “Revista Nacionali”.
“Trupi Koordinues ka premtuar rritje të fondeve për KKSh, premtim i cili nuk është realizuar. Pasi nuk e mbajtën fjalën, erdhën në zyrat tona dhe kërkuan nënshkrimin e marrëveshjes me kusht që të hiqet flamuri kombëtar nga institucioni ynë. Kjo është e papranueshme,” – ka deklaruar Rexhepi.
Ai ka theksuar se flamuri kombëtar nuk është objekt negociatash dhe se KKSh nuk do të lejojë asnjë tentativë për ta vënë institucionin në pozitë nënshtrimi për mjete financiare.
“Flamuri ynë nuk negociohet, nuk zëvendësohet dhe nuk hiqet kurrë nga institucioni përfaqësues i shqiptarëve,” – ka shtuar ai.
Rexhepi ka bërë të ditur se Këshilli ka përgatitur të gjitha procedurat për nënshkrimin e marrëveshjes në mënyrë institucionale dhe transparente, ashtu siç është vepruar edhe në të kaluarën, pa spektakël politik dhe pa kushte degradimi.
Në fund të reagimit, kryetari i KKSh-së ka theksuar se ky institucion do të vazhdojë të qëndrojë i hapur për bashkëpunim me çdo palë që respekton dinjitetin dhe barazinë institucionale.
“Bashkëpunimi nënkupton respekt të ndërsjellë, e për këtë lloj bashkëpunimi jemi të gatshëm gjithmonë, me këdo,” – përfundon reagimi i Rexhepit.

 
							