Enekel Rexhepi reagon pas raportimeve për evidentimin e festuesve shqiptarë në Luginë
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enekel Rexhepi, ka reaguar pas raportimeve se në Bujanoc dhe Preshevë organet e rendit po evidentojnë persona për shkak të festimeve pas fitores së Kombëtares së Shqipërisë ndaj Serbisë.
Rexhepi shprehet se është duke ndjekur me shqetësim këto informacione dhe paralajmëron institucionet policore që të tregojnë kujdes maksimal për të mos rënë, siç thotë ai, “në grackën e hakmarrjes institucionale”.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë të gëzohen për sukseset e Kombëtares së tyre – një gëzim që nuk përbën asnjë rrezik për rendin publik, por është shprehje e identitetit dhe krenarisë kombëtare”, theksoi Rexhepi.
Ai kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet kompetente të garantojnë respektimin e të drejtave dhe lirive qytetare dhe të sigurojnë që asnjë veprim policor të mos ketë prapavijë etnike apo politike.
Në fund, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar tha se do të monitorojë nga afër situatën dhe do të reagojë ndaj çdo shkeljeje të të drejtave të qytetarëve shqiptarë në Luginë.