Kryesore

Presheva në fund të listës për paga mesatare në Serbi – më pak se 75 mijë dinarë në muaj

Enti Republikan i Statistikave të Serbisë ka publikuar të dhënat për pagat mesatare neto të të punësuarve për muajin prill të këtij viti. Sipas këtyre të dhënave, Qarku i Pçinjës renditet i parafundit në listën e varfërisë në Serbi, me një pagë mesatare neto prej 83.606 dinarësh.

Në të njëjtën pozitë të ulët ndodhet edhe komuna e Preshevës, me një pagë mesatare neto prej vetëm 74.428 dinarësh.

Paga mesatare neto në nivel republikan për prillin ishte 109.272 dinarë, ndërsa më e larta është regjistruar në Rajonin e Beogradit – 138.322 dinarë. Komuna e Stari Grad në kryeqytet mban vendin e parë për pagën më të lartë me 195.035 dinarë, e ndjekur nga komuna Vraçar me 186.092 dinarë.

Në Qarkun e Pçinjës, pagën më të lartë në muajin prill e kanë marrë punëtorët në komunën e Vlladiçin Hanit – 86.701 dinarë, më pas vjen Surdulica me 85.566 dinarë, ndërsa Vranja ndodhet në vendin e tretë me 85.288 dinarë. Pas tyre vijnë Trgovište (81.112 dinarë), Bujanoci (79.324 dinarë), Bosilegradi (78.052 dinarë) dhe Vranjska Banja me 75.019 dinarë.