Gjuriq: Serbia duhet të jetë ndër partnerët kryesorë të SHBA-së në Evropë
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, i ka thënë zyrtarit të lartë amerikan në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Louis Bono se Serbia duhet të jet ndër partnerët kryesorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë.
Në një bisedë telefonike me ndihmëssekretarin për Evropën dhe Euroazinë, ai ka shprehur vendosmëri të Serbisë për të bashkëpunuar me administratën e re të SHBA-së për të forcuar aspektet politike e ekonomike mes dy vendeve.
“Përsërita vendosmërinë e palëkundur të vendit tim për të bashkëpunuar me administratën e re të Shteteve të Bashkuara me qëllim forcimin e dimensioneve politike, ekonomike dhe të tjera të marrëdhënieve tona, si dhe për ta pozicionuar Serbinë si një nga partnerët kryesorë të SHBA-së në Evropë”, ka shkruar Gjuriq në platformën “X”.
Ai tutje e ka përmendur edhe Dialogun Strategjik, të cilin e ka cilësuar si platformë shtesë për bashkëpunim mes dy vendeve.
“Me gatishmërinë e shprehur për diskutime strategjike për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, kemi hedhur themelet për një kapitull të ri në historinë tonë të gjatë të përbashkët”, ka shtuar Gjuriq.
Bono ka marrë detyrën më 20 janar, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e filloi zyrtarisht mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë ditës, me Bonon është takuar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila po zhvillon vizitë në SHBA.
Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, Osmani kishte theksuar rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO.