Salihi: Dëshmorët janë shenjtë! Fëmijet e tyre janë të njejtë!
Këshilltari i Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc, Rahim Salihi, ka kritikuar ashpër disa akterë nga Bujanoci, të cilët, sipas tij, janë bashkuar me fushatën e fuqishme të Alternativës për Ndryshim, kundër qeverisjes lokale në Preshevë. Salihi thekson se këta individë po përdorin një strategji të mirëmenduar dhe një kampanjë të ashpër, duke mos hezituar të përdorin mjete të forta për të sulmuar qeverisjen dhe për të krijuar një atmosferë tensioni. Ai thekson se kjo fushatë, megjithëse ka pasur sukses në fokusimin e vëmendjes te disa raste specifike, ka lënë pas dore shumë probleme të ngjashme që po ndodhin në Bujanoc, duke krijuar një standard të dyfishtë për trajtimin e çështjeve të ngjashme.
Ka kohë që në Preshevë po bëhet politikë me “largimin e njerëzve nga puna”, kryesisht duke u përqendruar te ata individë të cilëve iu ka skaduar kontrata. Kjo çështje është bërë temë e nxehtë, ndërsa në Bujanoc, një situatë e ngjashme ka kaluar thuajse në heshtje. Akterë nga Bujanoci janë bashkuar në një fushatë të ashpër dhe me një strategji të mirëfilltë për të sulmuar qeverisjen lokale, duke u fokusuar më shumë në Preshevë dhe duke harruar një realitet po aq të rëndësishëm në Bujanoc.
Në qendër të kësaj fushate në Preshevë ishte fillimisht Leutrim Shahini, djali i dëshmorit Shaban Shahini. Çështja e skadimit të kontratës së Leutrimit u bë shpejt një çështje madhore, duke mobilizuar solidaritetin e shumicës, përfshirë edhe autoritetet komunale të Preshevës, të cilat e kthyen Leutrimin në punë. Kjo situatë ka shkaktuar një sërë reagimesh dhe postimesh të përditshme në lidhje me këtë temë.
Ndërkohë, në Bujanoc, ku problemi i largimit të të rinjve nga puna është po aq shqetësues, nuk ka asnjë reagim të ngjashëm. Qeverisja lokale, e udhëhequr nga APN, ka larguar mbi 20 të rinj, disa prej të cilëve kishin më shumë se 6, madje edhe 10 vjet punë. Pjesa më e madhe e tyre janë gra dhe vajza, të cilat kishin vendosur të jetonin dhe krijonin familjet e tyre në vendlindje.
Një prej tyre është Kimete Salihu, vajza e dëshmorit Hysen Salihu, ndër të tjera ka edhe individë që ishin angazhuar si persona me aftësi të kufizuara. Po ashtu, është larguar nga puna edhe gruaja e një të vrari nga policia serbe në vitin 1999, në malet e Tërnocit.
Drejtësia, sipas Salihit, duhet të jetë e barabartë për të gjithë dhe jo selektive. Ai thekson se “barazia nuk ka kuptim nëse nuk është e plotë” dhe kërkon ndalimin e standardeve të dyfishta, duke apeluar për një trajtim të barabartë të të gjithëve. Ai përmend emra të tjerë si Nazlia, një grua që humbi burrin në vitin 1999 si pjesë e 11 vrasjeve të pasqaruara në Bujanoc, dhe Labinotin, një i ri që meriton trajtim të barabartë.
Gjithashtu, Salihi përmend edhe disa vajza profesioniste si Benhuria, Lumja dhe Kujtimja, të cilat kanë vendosur të jetojnë në Bujanoc, si dhe individë të tjerë si Iliriana, Fikreti dhe Florenti, të cilët gjithashtu janë prekur nga largimi nga puna.
Në kontrast me situatën në Preshevë, Salihi vëren se vendet e zbrazura në administratën komunale të Bujanocit do të plotësohen sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje 50%, 40%, 10%, ku 50% e tyre do të plotësohen me serbë, duke lënë shumë pak mundësi për shqiptarët.
Ai përfundon duke thënë: “E vërteta mbetet e vërtetë, edhe kur e shtrembërojnë ose kur për të nuk flitet”./luginalajmi