Kurti akuzon Serbinë për shpërthimet në kanalin e Ibër-Lepencit
Kryeministri Albin Kurti i ka quajtur akte terroriste nga Serbia, shpërthimet që kanë ndodhur ditëve të fundit në komunat në veri të Kosovës.
Duke komentuar shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok, Kurti ka thënë se ky sulm është kryer nga profesionistë me qëllimin për ta dëmtuar infrastrukturën kritike të Kosovës. Ky kanal dërgon ujë për ftohje të termocentraleve Kosova A e Kosova B.
“Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike. Sulmi është kryer nga profesionistë. Ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara nga Serbia. Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes”, ka thënë Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për media.
Kurti ka thënë se s’ka adrësë tjetër për sulme të tilla “pos Beogradit zyrtar dhe strukturat kriminale, me në krye Milan Radoiçiqin”.
“Ky është sulmi pra shpërthimi i tretë në ditët e fundit që ka pasur për cak institucionet tona. Dhe është synuar që të nxitet frika. Përpjekjet e tilla do të ngelen të dështuara për shkak se kushtetutshmëria në vendin tonë sundimin e ligjit rendi dhe Republika jonë nuk do të mund të mposhten nga askush”, ka thënë Kurti.
Kurti po ashtu ka njoftuar se menjëherë pas konferencës do të takohet me komandantin e KFOR-it dhe ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.
“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin… Por unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar”, ka thënë Kurti.