Lajme

Kurti i gatshëm të nënshkruajë draftin evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me liderët evropian, ka thënë se veç nënshkrimi i marrëveshjeve nënkupton pranim dhe garantim të tyre, duke iu referuar Marrëveshjes Bazike të Brukselit të arritur në shkurt sivjet dhe Aneksin e Zbatimit të arritur në Ohër, bëhet e ditur në një komunikatë për media të enjten në mbrëmje nga Qeveria e Kosovës.

Siç thuhet në komunikatë, Kurti i ka cilësuar dokumentet e Brukselit dhe Ohrit si sukses të përbashkët me Bashkimi Evropian.

“Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Në takimin e sotëm, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Sholc, me Presidentin e Francës, Emanuel Makron, Kryeministren e Italisë, Xhorxhia Melloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel, zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Xhosep Borrell, si dhe emisarin e tij Mirosllav Lajçak, Kryeministri Kurti i falenderoi të gjithë ata për rolin, angazhimin dhe kontributin për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Kurti theksoi që, pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë.