Vuçiq: “Edhe atëherë kam kërkuar që serbët në Kosovë të dalin në zgjedhje, por ata nuk më dëgjuan”
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot nga Kina “se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Serbia të vazhdojë dialogun me Kosovën, edhe pse është e vetmja palë që përpiqet për këtë”, sepse, sipas fjalëve të tij, “Albin Kurti nuk ka dashur asnjëherë bisedime”.
“Mendoj se është e rëndësishme të dialogohet dhe të bisedohet edhe pse Albin Kurti nuk ka dashur asnjëherë dialog. Po, ne duam, duam edhe Asociacionin, zbatimin e marrëveshjes, mbi të gjitha marrëveshjen e Brukselit, e cila është e vetmja e nënshkruar gati 10 vjet më parë, kam frikë se nuk kemi bashkëbisedues për këtë, por edhe biseda më e keqe është më e mirë sesa të mos bisedohet”, ka thënë Vuçiq në një deklaratë për gazetarët.
Në lidhje me lajmet në media se ai tani po i detyron serbët nga Kosova të dalin në zgjedhje, Vuçiq ka theksuar se “ai edhe më herët ka qenë që populli serb të merr pjesë në zgjedhje në veri”.
Mirëpo, në atë kohë, siç thotë ai, “e ka përkrahur vendimin e popullit, i cili nuk ka qenë në përputhje me qëndrimin e tij”.
“Unë kam qenë për të marrë pjesë në zgjedhje, serbët e Kosovës nuk kanë qenë, pastaj kam dalë dhe kam thënë se e përkrah çdo vendim të serbëve të Kosovës, edhe nëse nuk është në interesin e tyre e as interesin tonë të përgjithshëm. Sepse duhet të jemi me ata njerëz edhe kur është e vështirë edhe kur është e lehtë”, ka pretenduar Vuçiq.