Lajme

Vodhi vota për LDK’në, dënohet me 11 muaj burgim

I akuzuar për vjedhjen e votave për Lidhjen Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Dardan Blakaj sot gjykata e ka dënuar me 11 muaj burgim, shkruan Insajderi. 

Ky dënim u shqiptua pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë. 

Përveç, Blakajt akuzohen edhe ish-deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala dhe Sylë Balaj, të cilët në seancën e 17 marsit 2023, ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Sipas këtij aktgjykimi, për veprën penale“Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” Blakaj u dënua me 6 muaj burgim, ndërsa për veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” i njëjti u dënua me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj.

Ndaj tij, u shqiptua dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 11 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale gjatë periudhës verifikuese prej 1 viti.

Sipas gjykatësit Konxheli, gjykata në bazë të marrëveshjes për pranim të fajësisë, ka aprovuar edhe propozimin që dënimi plotësues i propozuar në aktakuzë ndaj të njëjtit të mos aplikohet.

Blakaj, po ashtu u obligua që të paguaj edhe shpenzimet procedurale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro dhe 100 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.