Të fundit

Sinani: Dallimi për të drejtat e pakicave mes Kosovës dhe Serbisë është substancial në përmbajtje, e drastik në implementim

Këshilltarja e Kurtit, Ardita Sinani konsideron se të drejtat e komuniteteve të pakicave në Kosovë kanë dallim të madh me pakicat që jetojn në Serbi, sa i përket realizimit të të drejtave, përcjell Ministria e Lajmeve.

Shkrimi i plotë:


Për sa i përket realizimit të të drejtave të pakicave në Republikën e Kosovës dhe të Serbisë, dallimi është substancial në përmbajtje, e drastik në implementim.

Në formë të detajuar, për të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, Kushtetuta e Republikës së Kosovës i trajton të gjitha komunitete e me një theks të veçant komunitetin serb që jeton në Kosovë.

Në anën tjetër, në Kapitullin e të drejtave dhe lirive të të drejtave të pakicave, trajtimi përmes aktit më të lartë juridik të Serbisë, Kushtetutës, trajtohen në një formë të përgjithshme, deri diku e përafërt me përshkrimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi.

Ushtrimi i të drejtave të pakicave sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës afirmon në masë të madhe avancimin dhe zhvillimin e lirshëm të identitetit dhe atributeve të secilit komunitet. Madje sipas Kushtetutës, Qeveria e Republikës së Kosovës merr obligim të përkrahë në veçanti nismat kulturore të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, përfshirë këtu edhe përkrahjen financiare.

Institucionet e Republikës së Kosovës obligohen që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore për të eliminuar kërcënimet e veprimet diskriminuese që vijnë si rrjedhojë e identitetit kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor apo fetar. E kjo duke pasur si qëllim promovimin e frymës së tolerancës ndërmjet komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Pjesëtarëve të komuniteteve Kushtetuta e Republikës së Kosovës ua garanton edhe një varg të drejtash sa i përket ruajtjes së identitetit të tyre, arsimit, përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit, përdorimit të simboleve e informimit.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës në pjesën e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre parasheh edhe një organ të veçantë. Këshillin Konsultativ për Komunitete, institucion që vepron nën autoritetin e Presidencës e në të cilin përfaqësohen të gjitha komunitetet.

Ajo që është ndër më të rëndësishmet, integrimi i komuniteteve është paraparë në Kushtetutë përmes të drejtës së barabartë në punësim në organet e ndërmarrjet publike të të gjitha niveleve, përfshirë policinë.

Parë në përgjithësi, të drejtat e komuniteteve në Republikën e Kosovës janë në nivelin më të lartë të mundshëm, qoftë në përshkrimin ligjor përmes Kushtetutës, qoftë në praktikë. Pavarësisht se opinioni në rajon e më gjerë është ngulfatur nga propaganda e cila bëhet përmes (keq)përdorimit të komunitetit serb nga autoritetet shtetërore në Beograd për qëllime ditore politike.

Në anën tjetër, Kushtetuta e Serbisë të drejtat e pjesëtarëve të pakicave nacionale në 7 nene në Kushtetutën e saj, i bën një përshkrim të përgjithshëm, duke mos u futur në detaje.
Përveç kësaj, në mes të asaj që parashihet me Kushtetutë dhe fakteve në praktikë, në mes është një vakum i madh.

Edhe pse në nenin 77, alinenë 2 parashihet që për punësim në organet shtetërore dhe shërbimet publike duhet të kihet parasysh përbërja etnike e komuniteteve në atë vendbanim, në praktikë kjo përqindje në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc është në shpërputhje totale.

Madje në disa raste, siç është policia lokale, posta shtetërore, pik pagesat kufitare, administrata tatimore, gjykatat, ka kohë që në mënyrë konsistente pjesa e përbërjes etnike në punësim as që merret parasysh.

Që nga konflikti i armatosur në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në policinë lokale, si pjesë e marrëveshjes së garantuar nga Misioni i OSBE, u arrit të punësohet një numër i vogël i qytetarëve të pakicës shqiptare në këto komuna. Kjo ishte edhe faza e parë dhe e vetmja ku u punësuan shqiptarët në këtë organ shtetëror.

Duke vazhduar kështu edhe me spitalet rajonale, ku për shembull spitali rajonal i Vranjës përfshinë rrethin e Pçinjës, rreth në të cilin bien komuna e Preshevës e Bujanocit. Pra, në këtë spital trajtohen pacientët e këtyre dy komunave, por në të cilin nuk është i punësuar asnjë mjek i përkatësisë kombëtare shqiptare.

Pavarësisht se në Kushtetutën e Serbisë, në pak fjal përshkruhet se ndalohet çfarëdo lloj diskriminimi për shkak të përkatësisë kombëtare, kemi raste kur deputet, politikan e madje në disa raste edhe ministra të Qeverisë serbe në paraqitjet publike pakicës shqiptare i drejtohen edhe me terme pezhorative e përçmuese, nuk ndërmerret asnjë masë ligjore nga organet shtetërore për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme.

Prandaj, respektimi i parimit të reciprocitetit sa i përket trajtimit të pakicës serbe që jeton në Kosovë dhe pakicës shqiptare që jeton në Serbi, do të ishte bazë shumë e mirë për arritjen e paqes së qendrueshme në rajon.