Kryesore

Escobar për REL-in: SHBA-ja kategorikisht kundër kthimit të forcave serbe në Kosovë

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja, thotë ai, e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë në Prishtinë, Escobar thotë se barrikadat në veri të Kosovës, duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur ato, por kërkon nga Qeveria e Kosovës që të gjejë mënyra për të adresuar shqetësimet e komunitetit serb në veri.

Escobar, po ashtu, thotë se formimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë është obligim, si për Kosovën dhe Serbinë, ashtu edhe për BE-në që e ka ndërmjetëusar negocimin e tij.

“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, thotë Escobar.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Escobar, faleminderit për intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë në Prishtinë! Si ka qenë vizita juaj deri më tash në Kosovë?

Gabriel Escobar: Sikurse të gjitha vizitat e mia në Kosovë, ka qenë shumë produktive. Dua të filloj duke thënë diçka që e kam thënë në njërën prej intervistave të mia të fundit. Ne e konsiderojmë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor pjesë të komunitetit transatlantik. Ju, thjesht, nuk jeni pjesë e strukturave formale, por, në çdo mënyrë, ju konsiderojmë si partnerë të rëndësishëm dhe si anëtarë produktivë të komunitetit.

Sa herë që vij këtu, takohem me udhëheqës biznesi, takohem me shoqërinë civile, takohem me udhëheqës të rinjsh. Këtë e kam bërë edhe këtë herë. Ata, vërtet, kanë përforcuar mendimin tim dhe të Qeverisë sonë se Ballkani Perëndimor është më shumë një mundësi për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara sesa një rrezik. Ne vetëm duhet ta bëjmë realitet këtë aspiratë.

Radio Evropa e Lirë: Dua të filloj me situatën aktuale në veri të Kosovës. Kë e shihni përgjegjës për barrikadat?

Gabriel Escobar: Ajo që dua të them ka të bëjë më pak me fajësim dhe më shumë me rrugën përpara. Realiteti është se ne kemi nevojë që të gjithë të kontribuojnë në proces dhe të gjithë të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj krize aktuale. Unë vërtet besoj se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vënë ato.

Por, ne gjithashtu duhet t’u ofrojmë atyre një rrugë diplomatike për t’i adresuar ankesat – përmes kanaleve politike dhe përmes kanaleve diplomatike. Kështu po e shohim ne krizën aktuale. Dhe përtej krizës, ne duhet të fillojmë të mendojmë për një kornizë më të qëndrueshme, në të cilën komunitetet në këtë vend mund të punojnë së bashku.