Policia e Kosovës raporton për shpërthimet në veri, nuk ka të lënduar
Policia e Kosovës ka raportuar se në orët e pasdites dyshohet se ka pasur shkrepje armësh e shpërthime në Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut, por nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.
Po ashtu është thënë se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.
“Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor. Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve”, thuhet nga Policia.
Policia ka thënë se njësitet policore kishin shoqëruar zyrtarët komunalë zgjedhorë në zyrat e komisionit komunal zgjedhor në Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut.