Të fundit

Daniel Serwer: Asociacion reciprok për shqiptarët e Luginës së Preshevës

Afati për përmbylljen e procesit të ri-regjistrimit të veturave me targat ilegale serbe në pjesën veriore të Kosovës po afron, derisa Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar shtyrje të këtij afati për së paku edhe dhjetë muaj.

Por, për profesorin amerikan në John Hopkins University, Daniel Serwer, nuk ka asnjë arsye solide për të shtyrë diçka për të cilën ka pasur marrëveshje vite më parë. Jo dhjetë muaj, por “dhjetë minuta ka të ngjarë më shumë”, tha ai në një intervistë për gazetën online Reporteri.net, përcjell rtvpresheva.com Serwer ka komentuar edhe propozimin “franko-gjerman” e cila është përfolur t’u jetë paraqitur palëve si rrugë para në dialog. Për atë që thuhej se Kosovës i shtrohet rruga për në OKB, dhe Serbisë anëtarësim i përshpejtuar në BE, profesori amerikan e sheh me dyshime. “Kam dëgjuar të thonë se ka një propozim franko-gjerman, por nuk e kam parë. Dhe as nuk e di çfarë do të thotë kjo ‘të shtrojë rrugën’ për anëtarësimin e Kosovës në OKB e as se si Serbia do ta siguronte këtë, pasi që rusët dhe kinezët kanë arsyet e veta për t’i vënë veton”, tha ai për Reporteri.net.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian varet nga kriteret e Kopenhagës dhe implementimi i acquis communautaire (trupa kumulative e ligjeve të Komunitetit Evropian). Serbia nuk është kërrkund afër përmbushjes së këtyre zotimeve”. Daniel Serwer, pyetur rreth deklaratës së zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, se “njohja do të vjen” por “me kohë”, dhe se deri atëherë të merren hapa për shkruar drejt asaj njohje, thotë se “nuk e kuptoj çfarë duan të thonë”. “Nuk mund të mbetesh pak shtatzënë. Dhe as nuk mund të të njohin pak”, u përgjigj ai.