Kosova nënshkruan marrëveshje me SHBA-në, përfiton 202 milionë dollarë
Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për energjinë mes Kosovës e SHBA-së e cila u bë në Kongresin Amerikan.
Kjo marrëveshje e cila Kosovës i sjell 202 milionë dollarë u nënshkrua nga Kryeshefja ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice P. Albright dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
“Këto investime pritet që të sjellin dobi, për miliona njerëz. Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë kompaktin prej 263 milionë dollarësh. 4 nga 10 shtëpi në Kosovë, aktualisht janë duke u përballur me një formë të problemeve me energjinë”, tha Albright.
“Është shumë bukur që jemi mbledhur këtu në këtë moment të rëndësishëm për të dy vendet. Mirëpresim presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, ambasadorin Dugolli. Ekipi im ka bërë shumë punë për të mbërritur në këtë moment të rëndesishëm. Në 49 vende që nga viti 2004 SHBA ka investuar miliona. Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë marrëveshjen në vlerë 202 milionë dollarë për mbështetje të energjisë. Energjia është kruciale për zhvillim. Investimet do të jenë në energji, si krijimin e baterive akumuluese energjetike. Fshirja e barrierave për gratë që të jenë më të përfshira në biznes. Edhe Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 35 milionë dollarë. SHBA është shumë krenare për partneritetin me Kosovën në këto marrëveshje”, ka theksuar Albright.
Ndërsa presidentja Vjosa Osmani në fjalën e saj në këtë ceremoni tha se kjo marrëveshje është dëshmi se Kosova është bashkë me SHBA në kohëra të vështira e të bukura.
“Siguria e furnizimit me energji është sfidë për shumë popuj në botë. Ky investim në Kosovë ndoshta mund të kthehet në investimin më të mirë që do t’iu mbetet gjeneratave. Kosova është e gatshme të mbështesë këtë rrugëtim për energji të pastër. Ky është investimi më i madh prej dekadash në vendin tonë që do të kontribuojë në stabilitetin energjetikë dhe punësimin e grave në vendin tonë. Gratë janë në qendër të kësaj iniciative për të fuqizuar sektorin e energjisë”, tha presidentja Osmani.