Lajme

Shkarkohen 5 inspektor serb që morën pagë 5 vjet pa dalë në punë

Pesë inspektorë serbë të punësuar në Inspektoratin e Punës ka rreth 5 vjet që kanë marrë paga pa dalë në punë.

Nga shkurti i këtij viti ky institucion ka marrë vendim që ata që nuk kryejnë detyrat e punës të mbesin në listën e pagave, por të mos paguhen.

Pavarësisht kësaj, ata kanë vazhduar bojkotin, derisa njëri prej tyre është larguar nga puna me vendim të Komisionit Disiplinor të Inspektoratit, ndërsa 4 të tjerët janë në procedurë disiplinore.

“Për momentin 3 prej tyre, pjesa që janë inkuadruar në formën e rregullt, ata punojnë bashkë me inspektorët e tjerë, por këta 5 që i kemi pasur me marrëveshje, kemi pasur probleme me ta. Për njërin prej tyre veç është nxjerrë vendimi prej Komisionit Disiplinor për procedurë që të largohet nga marrëdhënia e punës dhe 4 të tjerë i kemi në procedurë disiplinore”, ka thënë Agim Millaku, ushtrues detyre i kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Në Inspektoratin e Punës janë gjithsej 35 inspektorë, tetë nga ta janë serbë.

Pesë prej serbëve që kanë bojkotuar punën janë të punësuar me marrëveshje të veçantë të Brukselit për integrim të komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

Për mosdhënien e kontributit në punë, inspektorët serbë janë ankuar se me vite të tëra nuk kanë pasur kushte, si zyrë e makinë për lëvizje në terren.

Por, edhe pse këto kushte u janë krijuar në vitin e kaluar, ata përsëri nuk i kanë kryer detyrat e punës.