FutbollSporti

Reali fiton dramën ndaj Huescas

Real Madridi është kthyer nga disavantazhi për të rezultuar triumfues (3-2) përballë Huescas, në ndeshjen e javës së 29-të në La Liga që u zhvillua në Santiago Bernabeu.

Me të filluar ndeshja, skuadra mysafire arriti të realizonte me golin e Cucho (3′), i cili u asistua nga Ezequiel Avila.

Rezultati u barazua falë insistimit nga Karim Benzema, pas goditjes të të cilit, Brahim Diaz e ktheu topin në zonë dhe aty ishte Isco për ta futur në rrjetë (25′).

Shanset nuk munguan dhe vendasit arritën ta përmbysnin rezultatin në pjesën e dytë. Një harkim nga Gareth Bale e priti Benzema me kokë dhe asistoi për Daniel Ceballos, i cili nuk gaboi (62′).

Mbretërit patën disa raste për ta ngritur epërsinë, sidomos përmes Bale, mirëpo nuk i shfrytëzuan ato, ashtu që u ndëshkuan. Xabier Etxeita e barazoi rezultatin (74′).

Dhe për ta mbyllur paraqitjen fantastike në këtë ndeshje, Karim Benzema shënoi një gol fantastik (90′) që ishte edhe goli i fitores për vendasit.

Real Madridi është i treti në tabelë, me dy pikë më pak se Atletico Madridi dhe 12-të më pak se lideri Barcelona. Huesca është e fundit në renditje dhe rrezikon rënien nga liga.

Në xhiron e ardhshme, Los Blancos udhëtojnë te Valencia, kurse Huesca është nikoqir i Celta Vigos.