Shqipëri

Vladimir Putin miraton listën e vendeve “armike”, mes tyre edhe Shqipëria

Nga Brixhilda Xhuraj

Në mes të pushtimit rus të Ukrainës, qeveria e udhëhequr nga presidenti Vladimir Putin ka miratuar të hënën e 7 marsit një listë të vendeve dhe territoreve që kryejnë veprime “jomiqësore” kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj.

Në listën e shpallur, renditen shtetet që vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë pas fillimit të pushtimit në Ukrainë.

Mes tyre është edhe Shqipëria.

Përkatësisht, lista përfshin: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë, shtetet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Malin e Zi, Zvicrën, Shqipërinë, Andorrën, Islandën, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marinon, Maqedoninë e Veriut, gjithashtu dhe Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Zelandën e Re, Singaporin dhe Tajvanin.

“Qeveria vuri në dukje se sipas këtij dekreti, qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore do të jenë në gjendje t’i paguajnë ato në rubla”, shkruan TASS, agjencia ruse e lajmeve.