Kryesore

Shkolla “Faik Konica” në Namyr të Belgjikës, vatër e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare

Në kuadër të Shoqatës “Nënë Tereza” në qytetin e Namyr-it të Belgjikës funksionon dhe shkolla shqipe “Faik Konica”.

Kryetari i Shoqatës, zotëri Adnan Rexhepi nga Bushtrani i Preshevës, një atdhetar i dëshmuar bëri të pamundërën që në këtë qytet të hapet shkolla shqipe e cila po korrë suksese të vazhdueshme.

Vetëm gjatë këtyre tre vitet e fundit u organizuan Konferencë në kujtim të jetës së Nënë Terezës, Skënderbeut dhe vitin që kaloi më 28 Nëntor organizoi Manifestimin madhështor në teatrin Mbretëror të Namyrit në kujtim të jetës dhe veprës së Heroit legjendar, Adem Jasharit.

Çdo manifestim me prezencën e tyre e nderuan fytyra eminente nga të gjitha trojet shqiptare si dhe personalitete belge.

Nxënësit e shkollës shqipe “Faik Konica” me programin e tyre zbukuruan këto manifestime.
E veçanta e shkollës shqipe në Namyr është se përveç nxënësve nga mosha 7 deri në 15 vjet që mësojnë gjuhën shqipe funksionojnë edhe dy paralele për të rriturit që mësojnë shqip.
Në mesin e të rriturve ka dhe belgë që mësojnë gjuhën shqipe.

Puna e palodhur e mësimdhënësve: Anila Selami, Elsa Haskurti, Genta Aziri dhe Muhamed Bektashi çdo ditë jep rezultate të mira në këtë shkollë, e cila drejtohet nga drejtori i shkollës Arian Bajraktari.

Nga Namyri Belgjikë , shkruan Muhamed BEKTASHI