Lajme

Serbia hapi disa kapituj në procesin e anëtarësimit drejt BE-së

Në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), Serbia hapi në Bruksel, më 14 dhjetor negociatat për një bllok kapitujsh.

Në konferencën ndërqeveritare është hapur blloku 4, që ka të bëj me politikën e transportit, energjisë, rrjeteve trans-evropiane, mbrojtjen e ambientit dhe ndryshimet klimatike.

Duke folur në emër të BE-së, Sekretari slloven i shtetit, Gasper Dovzhan, e cilësoi këtë hap si sukses të Presidencës sllovene, hap i cili do të ndikojë në dinamiken e procesit negociator.

Ai tha se megjithatë, përparimin, Serbia duhet të bëj më shumë në reformat e sistemit të drejtësisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe në proceset e brendshme të rasteve të krimeve të luftës.

Nga Serbia është kërkuar që të ketë rol konstruktiv edhe në dialogun me Kosovën dhe se kjo “do të përcaktojë edhe dinamiken e negociatave të anëtarësimit”.

Komisioneri i zgjerimit, Oliver Varhelyi hapjen e katër kapitujve në negociatat me Serbinë e quajti “sinjal të rëndësishëm jo vetëm për Serbinë por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Negociatat e anëtarësimit po përparojnë dhe BE-ja po i përgjigjet përparimit që bëjnë shtetet kandidate. Hapja e negociatave për këta kapituj, do të thotë se tash mund të fillojë puna e rëndësishme në këto fusha. Na pret punë shumë e madhe” tha Varhelyi.

Serbia në këtë konferencë është përfaqësuar nga Kryeministrja, Ana Bërnabiq. Ajo tha se vendi i saj pret së shpejti hapjen e kapitujve të tjerë. Ajo paralajmëroi investime të mëdha të Serbisë në fushën e ruajtjes së mjedisit, një prej temave të përfshira në kapitujt që u hapën më 14 dhjetor.

Me hapjen e këtyre kapitujve Serbia tash ka të hapur, 22 nga 35 kapituj në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.