Keni vendosur të udhëtoni për në Gjermani? Ja se cilat vakcina “pranohen” për të kaluar kufirin gjerman
Situata epidemiologjike në Gjermani është dramatike. Çfarë do të thotë kjo për hyrjen në vend, kush duhet të vendoset në karantinë dhe ku lejohet të udhëtohet brenda Gjermanisë?
Dhe përveç situatës aktuale dramatike epidemiologjike, rregullat për hyrjen në Gjermani janë pjesërisht më të buta se sa ishin një vit më parë.
Duke qenë se numri i të sëmurëve me koronavirus është në rritje, që nga 9 nëntori, të gjithë ata mbi dymbëdhjetë vjeç që hyjnë në Gjermani, pavarësisht se ku dhe me cilin mjet transporti, janë të detyruar të tregojnë certifikatat përkatëse.
Prandaj, kushdo që dëshiron të hyjë në Gjermani duhet në çdo rast të ketë një vërtetim se është vaksinuar, se e ka pasur virusin ose test negativ të koronavirusit. Ky dekret është i vlefshëm deri më 15 janar 2022.
Në përgjithësi, hyrja është e mundur nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, si dhe nga vendet që i përkasin zonës Shengen – Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni.
Përpara se të udhëtoni në Gjermani, pyesni për situatën aktuale dhe rregulloret.
Informacione të hollësishme mund të gjenden në faqen e internetit të Ambasadës Gjermane në Serbi, në faqet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Brendshme gjermane, si dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Hyrja në Gjermani nga vende të treta, si Serbia, është e mundur, por me kufizime të caktuara. Aktualisht, janë njëzet vende në të ashtuquajturën “lista pozitive” gjermane, mes tyre Australia, Kanadaja dhe Koreja e Jugut.
Banorët e këtyre vendeve mund të hyjnë në Gjermani nëse kanë me vete certifikatat e mësipërme, pavarësisht qëllimit të udhëtimit të tyre.
Pasagjerët nga vende të tjera të treta duhet të jenë plotësisht të vaksinuar ose të kenë një arsye të vlefshme pse udhëtimi është absolutisht i nevojshëm për të hyrë në Gjermani.
Në faqen e Ministrisë së Brendshme thuhet se në cilat raste udhëtimi konsiderohet absolutisht i nevojshëm.
Kur bëhet fjalë për vaksinat, njihen vetëm ato të miratuara nga Instituti gjerman “Paul Ehrlich” dhe ato janë vaksinat “Biontek-Pfizer”, “Moderna”, “Astra-Zeneca” dhe “Johnson & Johnson”. Versionet e këtyre vaksinave që janë miratuar jashtë vendit konsiderohen ekuivalente.