Serbia renditet mes 10 vendeve me rënien më të madhe në botë të demokracisë
Më shumë se gjysma e vendeve demokratike të botës kanë mbetur prapa në dekadën e fundit dhe Serbia është një nga 10 vendet me rënien më të madhe të demokracisë, sipas një raporti nga Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Mbështetje Zgjedhore (IDEA).
Për pesë vjet me radhë, numri i vendeve që lëvizin drejt autoritarizmit ka qenë afërsisht tri herë më i lartë se i atyre që lëvizin në drejtimin demokratik, përcjell portali i pavarur serb “N1”.
Numri shteteve me sistem demokratik po zvogëlohet dhe nga viti 2020, Serbia, Mali dhe Bregu i Fildishtë nuk janë më demokraci, bazuar në raportin e titulluar “Gjendja e demokracisë në botë më 2021”.
“Ky raport thekson kolapsin demokratik në Serbi, sepse pas problemeve serioze me zgjedhjet e vitit 2020, ajo nuk mund të konsiderohet më demokraci. Kjo vë në pikëpyetje anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”, tha Adam Bodnar, dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin e Shkencave Sociale dhe Humane të Polonisë, në parathënien e raportit për Evropën.
Serbia në grupin e shteteve me regjim hibrid
Raporti kujton se Serbia për herë të parë pas 20 vjetësh nuk është më në kategorinë e demokracive, por të regjimeve hibride.
“Serbia, e cila ka mbetur prapa që nga viti 2013, më në fund është bërë një regjim hibrid në vitin 2020. Gjatë asaj periudhe, Partia Progresive Serbe në pushtet kufizoi dhe diskreditoi shoqërinë civile dhe vendosi kufizime për lirinë e medias”, thuhet në raport.
Në një dokument mbi demokracinë në Evropë, IDEA thekson se cilësia e demokracive ka ngecur ose ka rënë gjatë dy viteve të fundit, edhe për shkak të krizës pandemike.
“Në Ballkanin Perëndimor dhe vendet e tjera të Evropës Lindore, dobësitë e vjetra janë përkeqësuar më tej nga pandemia”, thuhet tutje në raport.
Sipas raportit, liria e shprehjes dhe e mediave u kërcënuan edhe para pandemisë, dhe gjatë pandemisë shkoi një hap tutje. Disa vende, përfshirë Serbinë, kanë përdorur rrezikun e supozuar të keqinformimit në lidhje me pandeminë për të mbytur më tej lirinë e fjalës.
Pandemia ishte gjithashtu një test i madh për zgjedhje të lira, dhe fushatat e intensifikuara në internet rritën rëndësinë e dezinformatave, ndërhyrjeve të huaja dhe keqpërdorimit të të dhënave.
Dështimi për të mbajtur zgjedhje të lira dhe pandemia
Mjedisi elektoral në Serbi në vitin 2020 u karakterizua nga ndarje të thella politike, bojkot të parlamentit e zgjedhjeve dhe polarizim social, me një “shkrirje të rrezikshme” të burimeve shtetërore e partiake dhe përdorimin e komunikimit pandemik për të marrë përfitime elektorale.
Për shkak të bojkotit të parlamentit para pandemisë, e më pas edhe bojkotit të zgjedhjeve parlamentare, për shkak se partitë opozitare kërkuan shtyrjen e zgjedhjeve deri në sigurimin e kushteve të barabarta dhe të drejta, Serbia shënoi rënie të ndjeshme të kritereve për zgjedhje të lira.
Parlamenti serb, thuhet në raport, nuk ushtroi mbikëqyrje proaktive dhe thelbësore të ekzekutivit.
Dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje u rritën gjatë pandemisë dhe Serbia është në grupin e vendeve në të cilat është rritur më shumë numri i grave që kërkojnë ndihmë.
Ndër vendet që shënuan rënien më të madhe që nga viti 2010, e matur me të 16 kriteret e demokracisë të vlerësuara në këtë raport, janë Serbia, Polonia, Sllovenia, Hungaria, Turqia, Nikaragua dhe Brazili.
Tri regjime hibride e dy autoritare në Evropë
“Numri i vendeve në të cilat demokracia është në rënie nuk ka qenë kurrë më i madh se në dekadën e fundit. Tani 70 për qind e popullsisë së botës jeton ose në regjime jodemokratike ose në vende me demokraci në rënie. Përqindja e popullsisë së botës që jeton në demokraci të fortë është vetëm 9 për qind”, thuhet në raport.
Sipas IDEA-s, në Evropë ekzistojnë tri regjime hibride (në Serbi, Rusi dhe Turqi), dy regjime autoritare (në Azerbajxhan dhe Bjellorusi) dhe 39 demokraci.
Raporti tregon në mënyrë specifike përkeqësimin e demokracisë tek anëtarët e BE-së, si në Hungari, Poloni dhe Slloveni, ku pandemia ka “përkeqësuar sëmundjet e akumuluara gjatë dekadës së fundit”.
“Pandemia na mëson se ne kemi nevojë jo vetëm për një vaksinë kundër Covid-19, por se kemi nevojë të madhe për një vaksinim kundër antidemokratikëve”, thuhet në raport.