Lajme

Kryeparlamentari Konjufca: Reciprociteti ndaj Serbisë duhet të kompletohet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se reciprociteti i Kosovës karshi Serbisë, duhet të kompletohet në çdo dimension.

Konjufca teksa ka folur në “Java sonte me Rronin” në KTV,  për situatën në veri pas vendosjes së reciprocitetit për targa, ka thënë se ky ka qenë një aksion shumë i nevojshëm, që ka pasur vetëm një qëllim.

“Ka qenë një aksion shumë i nevojshëm, ka pasur vetëm një qëllim, që praktika e lëvizjes së veturës prej Serbisë në Kosovë dhe veturat tona që shkojnë atje me qenë të njëjta, të barabarta dhe reciproke. Kjo është një pjesë e rëndësishme e sovranitetit shtetëror, ku ti imponon masa reciproke ashtu siç vepron shteti tjetër. Reciprociteti duhet të kompletohet në çdo dimension, edhe në atë tregtar, edhe në atë se si vijnë mallrat, edhe në çdo aspekt tjetër”, ka thënë Konjufca.

Sipas Konjufcës, kërcënimet që vijnë nga Serbia, s’duhet t’i zmbrapsin institucionet e Kosovës deri në vendosjen e plotë të reciprocitetit.

“Në çdo masë që Qeveria e merr, nëse Serbia e aplikon atë lloj kërcënimi me tankse, aeroplanë e ushtarë duke i afruar kah kufiri, unë mendoj se kjo s’duhet t’i frikësojë institucionet tona për t’i marrë krejt ato që jemi të bindur se jemi në të drejtën tonë. Vetëm kur ta shohë Serbia që jemi të vendosur se po duam ta realizojmë patjetër atë masë, ajo e kupton se frika dhe kërcënimi s’ka efekt. Kur e ndryshon planin veç se po i sheh aeroplanët rusë të Serbisë e po tërhiqesh, kjo është gabim. Kur ajo e kupton këtë ajo s’do t’i ndalë aeroplanët duke u sillë rreth e rreth Kosovës. Së pari duhet të dakordohemi brenda se çka kemi të drejtë. Nëse jemi shtet dhe republikë e s’kemi asnjë pikë dileme e dyshimi, të gjithë krerët e i gjithë populli duhet të veprojë e të kompletojë reciprocitetin me Serbinë. E dini që nuk është i kompletuar në të gjitha aspektet”, ka përfunduar ai.