LajmeTë fundit

Prezantohen projekt-idetë e parqeve që u dedikohen Bashkësive Lokale

Nga ana e stafit të Administratës komunale dhe zëvendës kryetarit të komunës Armend Aliu, sot u prezantuan projekt-idetë e parqeve për disa Bashkësi Lokale të komunës sonë.

Në kuadër të Planit investiv është paraparë pajisja e Bashkësive Lokale me parqe dhe kënde lojrash për fëmijë, me qëllim të rekreacionit dhe shfrytëzimit të kohës së lirë nga të gjitha grupmoshat.

Realizimi i përbashkët i këtyre projekteve në bashkëpunim me komunitetin, konsiston gjithashtu dhe në sigurimin e qëndrueshmërisë, si për nga aspekti i realizimit, poashtu edhe për përkujdesin dhe mirëmbajtjen e tyre.

Për këtë vit, përveç dy parqeve të qytetit, parashihet të realizohen dhe nëntë të tillë nëpër Bashkësite Lokale.

Tashmë janë identifikuar lokacionet dhe hartuar projekt-idetë për realizimin e tyre, ku nga ana e komunës së Preshevës do të bëhet furnizimi i materialeve dhe pajisjeve të nevojshme ndërsa Bashkësitë Lokale do të realizojnë punimet në rregullimin e rrethojave , rrafshimit dhe mbjelljes së sipërfaqeve të gjelbërta me barë, fidane drunjësh dhe lulesh, si dhe do të angazhohen në përkujdesin ndaj tyre.

Projekti i rregullimit të hapësirave do të realizohet në bashkëpunim mes komunës së Preshevës dhe Bashkësive Lokale dhe do të paraqesë një trend të ri të trajtimit dhe zhvillimit të hapsirave publike të komunës sonë.

Për këtë vit kalendarik, në kuadër të projektit do të përfshihen Bashkësitë Lokale: Ashanët, Geraj, Leranë, Bushtranë, Çukarkë, Tërrnavë, Miratocë, Stacion Hekurudhorë dhe Corroticë.

Komuna e Preshevës ka paraparë që çdo Bashkësi Lokale në komunën tonë të ketë së paku një park, apo kënd të lojërave, me qëllim të krijimit të infrastrukturës së nevojshme për rekreacion për fëmijët, të rriturit dhe të moshuarit.

Punimet pritet të fillojnë shumë shpejtë që gjatë stinës së verës të jenë të gatshëm për shfrytëzim.