Muriqi shënon në minutën e fundit, e shpëton Kosovën nga humbja ndaj Greqisë
Vedat Muriqi e ka shpëtuar Kosovën nga humbja kundër Greqisë me një gol të vonshëm për t’ia nxjerrë një barazim 1:1 të dielën në Prishtinë, i cili, megjithatë, pothuajse ia shuan shpresat dardanëve për kualifikim në Kupën e Botës për herë të parë në histori.
Kur Greqia mendoi se i kishte fituar tri pikë në Prishtinë, pas golit të epërsisë nga Anastasios Douvikas në fund të pjesës së parë, Muriqi e çmendi Stadiumin Fadil Vokrri me një gol në minutën e 92-të.
Kosova vinte me motiv shtesë nga fitorja e parë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës të enjten kundër Gjeorgjisë, por nuk ia doli ta nxjerrë më shumë se një pikë ndaj grekëve.
Verdhekaltrit ngelin në vendin e tretë në Grupin B me katër pikë, gjashtë më pak se liderja Spanja, që e shkatërroi 5:0 Gjeorgjinë, dhe pesë më pak se Suedia në vendin e dytë. Derisa Spanja e ka një ndeshje më shumë se Kosova, Suedia e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.