Lajme

Qeveria merr vendim për strehimin e afganëve në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për strehimin e menjëhershëm të refugjatëve afganë në Kosovë, përcjell KosovaPost.

Kështu ka bërë të ditur ministri Sveçla përmes një postimi në Facebook, duke thënë se ky vendim “nisur përveç nga fryma e interesave të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është njëherësh edhe një përpjekje e Republikës së Kosovës të ofrojë ndihmën e saj duke respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare për ofrim të ndihmës kategorisë së personave të cilët gjenden apo mund të gjenden në rrezik, u janë shkelur të drejtat themelore për arsye të luftës dhe konfliktit në Afganistan”.

“Pamjet që po shohim sot, jo shumë kohë më parë ishin pamjet që i kemi jetuar vetë dhe mbrojtja që kemi propozuar të ofrojmë sot, është prezantuar dhe zbatuar si koncept pikërisht për ekzodin e refugjatëve kosovarë në vitet e 90’ për t’i dalë në ndihmë Kosovës, e cila sot ka vullnetin ta kthejë këtë të mirë”, shkruan Sveçla.