Lajme

Vuçiq flet për “Mini-Shengenin”: Po ndërtojmë një Ballkan të ri evropian

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq mbajti një takim virtual të enjten me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe përpara takimit të nivelit të lartë javën e ardhshme të nismës së “Mini-Shengenit” për një zonë të përbashkët ekonomike në Ballkanin Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zhvilluam një bisedë të suksesshme me kryeministrin Zoran Zaev dhe Edi Rama në përgatitje të forumit ekonomik rajonal që do të organizojmë më 29 korrik në Shkup. Kjo është një iniciativë rajonale që do të na lidhë dhe do të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë. Së bashku, ne po ndërtojmë një Ballkan të ri evropian- tha Vuçiq në mediat sociale.

Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po organizojnë së bashku Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal në Ballkanin Perëndimor në Shkup.

Forumi organizohet brenda kornizës së Nismës Katër Liritë, ndryshe e njohur si “Mini-Shengeni”, inicuar nga udhëheqësit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në tetor 2019.

Qëllimi kryesor i nismës është të bëjë nismat ekzistuese rajonale më efektive në mënyrë që të arrihen rezultate praktike dhe të dukshme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Nisma gjithashtu synon të arrijë krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, i cili, si një formë kalimtare, duhet ta çojë rajonin më pranë Bashkimit Evropian dhe të përshpejtojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë.