Përplasja e Kurtit me Bërnabiqin e deklaratat për mini-shengenin, krejt çka ndodhi dje në Samitin në Tiranë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është përplasur me kryeministren e Serbisë Ana Bërnabiq, gjatë samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.
Kurti tha se në samitin e mbajtur në Tiranë të Shqipërisë, Bërnabiq “nuk dëshironte të pranonte që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”.
“Unë theksova që Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe trashëgimia e tij. Njohja e pavarësisë së Kosovës është e vlefshme edhe për vetë Serbinë, që në këtë mënyrë mban veten peng. Kosova e ka shpallur prej 13 vjetësh pavarësinë nga Serbia. Është koha e fundit që Serbia të shpallë pavarësinë nga Kosova”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit kosovar po ashtu foli për iniciativën e “mini-Shengenit”, duke thënë se nisma të tilla ngecin për shkak se mungon njohja e Kosovës nga Serbia.
“Nuk ka më ‘mini-Shengen’, ka treg të përbashkët rajonal, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut. Ajo nismë tashmë është një çështje që trajtohet nga Procesi i Berlinit, me emër tjetër e koordinata të tjera”, tha Kurti para gazetarëve në Tiranë.
Me Albin Kurtin “kemi pasur shkëmbim mendimesh gjatë takimit. Ka pasur disa provokime, disa ide të tij se si duhet të duket bashkëpunimi rajonal, por ai e ka marrë përgjigjen e duhur”, tha kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
E pyetur nga gazetarët se cilat kanë qenë idetë e Kurtit dhe cila ka qenë përgjigjja e saj, Bërnabiq tha se “nuk do të ishte e drejtë të flitej për atë që ka ndodhur prapa dyerve të mbyllura”.
“… por, ai insiston që gjithçka të nisë prej tij dhe kësaj administratës së re, në kuadër të ‘institucioneve të përkohshme’ në Prishtinë. Sipas kësaj [ideje], nuk mund të shkojë më kështu, porse tani do të kemi një format krejtësisht të ri [të bisedimeve], në bazë të të cilit ne jemi partnerë të barabartë. Unë kam thënë se kjo është e pamundur, sepse nuk jemi partnerë të barabartë, kemi dallim të madh. Ne jemi shtet sovran i pranuar ndërkombëtarisht, ata nuk janë. Por, është e rëndësishme që këto gjëra të lihen për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Bërnabiq.
Rama: “Mini-Shengeni” sjell vetëm përfitime
Por, për dallim nga Kurti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën për mediat me komisionerin për Zgjerimin të Bashkimit Evropian, Oliver Varheyli u shpreh se Shqipëria mbetet e palëkundur se projekti i “Shengenit rajonal” është një projekt strategjik me përfitime për rajonin.
“Ne mbetemi të palëkundur se projekti i ‘Shengenit rajonal’ është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale dhe politike për të gjithë rajonin tonë dhe më vjen mirë që sinergjia e këtij vizioni me Bashkimin Evropian është e plotë. Procesi i Berlinit është zanafilla dhe jemi në kushtet kur po zotërojmë procesin dhe procesi i Berlinit të kalojë në duart e Komisionit Evropian”, tha kryeministri i Shqipërisë.
Rama tha se një nga çështjet e diskutuara në samit ishte dhe kërkesa që liderët e rajonit i adresuan BE-së për lëvizjen e lirë pa detyrime shtesë, pas pandemisë së COVID-19.
Ai tha se liderët kërkuan që karta e gjelbër digjitale e qytetarit të një vendi të rajonit të njihet në BE dhe çdo qytetar i një vendi ballkanik të lëvizë lirshëm si ata të BE-së kur janë të pajisur me këtë mjet.
“Brenda rajonit dhe me Hungarinë kemi rënë dakord për lëvizjen e lirë pa detyrim e ekstra teste. Sot të gjitha vendet i kanë paraqitur komisionerit dhe BE kërkesën që karta e gjelbër digjitale e qytetarit të një vendi të rajonit tonë në aspektin e sigurisë shëndetësore të njihet në BE dhe ne të lëvizim lirisht si ata të BE-së”, u shpreh Rama.