Arrihet armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit
Qeveria e Izraelit ka konfirmuar miratimin e vendimit për një armëpushim në Gaza.
Në deklaratën e saj nuk njoftohet për kohën kur do të hyjë në fuqi armëpushimi. Qeveria izraelite thotë se armëpushimi u propozua nga Egjiptit dhe do të jetë “i pakushtëzuar”.
Një zyrtar i grupit militant Hamas i tha agjencisë Reuters se Izraeli dhe Hamasi do të fillojnë armëpushimin “e ndërsjellë dhe të njëkohshëm” të premten në orën 2 të mëngjesit.
Si Izraeli ashtu edhe Hamasi janë përballur me presion ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftimeve. Të enjten më shumë se 100 sulme ajrore izraelite shënjestruan infrastrukturën e Hamasit në veri të Gazës. Hamasi u hakmor duke shkrepur raketa në drejtim të Izraelit.
Luftimet në Gaza filluan më 10 maj pas disa javësh të rritjes së tensioneve izraelito-palestineze në Jerusalem. Grupi militant Hamas, të cilin Izraeli, BE-ja dhe SHBA-ja e konsiderojnë terrorist, filloi të qëllonte me raketa, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse nga forcat izraelite.
Gjatë 11 ditë të luftimeve janë vrarë të paktën 232 persona në Gaza dhe 12 në Izrael.