Maqedoni-Kosovë-SHBA, marrëveshje për rrjetin 5G
Maqedonia dhe Kosova firmosën me SHBA-në memorandum bashkëpunimi për krijimin e rrjeteve të pastra të gjeneratës së pestë të komunikimeve të njohur si 5G. Kryeministri Zaev tha se Maqedonia e ka për obligim t’i harmonizojë politikat nacionale për zhvillimin e komunikimeve elektronike me politikat e BE-së si dhe politikat në aspektin e sigurisë me implementimin e teknologjisë 5G në bashkëpunim me SHBA-të.
Duke pasur parasysh përparësitë e komunikimit pa tel, pra teknologjisë 5G , ky memorandum bashkëpunimi është jetik për prosperitetin e ardhshëm të vendit tonë nga aspekti ekonomik, si dhe për sigurinë nacionale. 5G do të mundësojë një gamë të madhe të aplikacioneve të reja, duke përfshirë sigurimin e shërbimeve kryesore për publikun që do të përfitojnë qytetarët dhe ekonomia jonë- deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Nënsekretari amerikan i Shtetit për rritjen ekonomike, energjinë dhe mjedisin, Keith Kraç tha se rrjeti i pastër mbulon çdo gjë, nga rrjetet elektrike deri te makinat dhe lidhjen e tyre me aplikacionet në telefonat e njerëzve.
“Rrjeti i pastër është qasje gjithëpërfshirëse për t’i adresuar kërcënimet afatgjata ndaj privatësisë, sigurisë, bashkëpunimit dhe të drejtave të njeriut dhe është e rrënjosur në standardet ndërkombëtare të besuara si dhe është një zbatim afatgjatë i kësaj strategjie- pohoi Keit Kraç, zëvendës sekretar amerikan për Ekonomi, Energji dhe Ambient.
Memorandumin me SHBA-në, kryeministri kosovar Hoti e firmosi në ambasadën e Kosovës në Shkup. Ai e cilësoi këtë marrëveshje si hap të madh drejt rritjes së sigurisë në këtë fushë.
“Është hap i madh drejtë rritjes së sigurisë në këtë fushë, përmes kësaj Kosova merr edhe obligimet e veta shtetërore për të qenë krah partnerëve tanë strategjik siç janë SHBA në këtë fushë. Ne tanimë i kemi ndërmarrë veprimet e duhura në Prishtinë lidhur me ketë çështje, besoj që kjo është shenjë e fuqishme e presidentit Trump dhe qeverisë së SHBA-ve për të quar përpara marrëveshjen e 4 shtatorit- tha Avdulla Hoti, Kryeministër i Kosovës.
“Kosova është partner strategjik shumë i vlefshëm e ky nënshkrim është dëshmi e miqësisë së fuqishme mes dy shteteve tona. Kjo ceremoni simbolizon jo vetëm besim të fuqishëm në mes të popujve tona por edhe mirëbesim në mes të kombeve të rrjetit të pastër që janë të përkushtuar në betejën për liri- pohoi Keit Kraç, zëvendës sekretar amerikan për Ekonomi, Energji dhe Ambient.
Në marrëveshjen për normalizim ekonomik, të nënshkruar më 4 shtator në Uashington, nga Kosova dhe Serbia, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, dy vendet janë zotuar se do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetin e komunikimit. Shtetet e Bashkuara janë duke komunikuar me shumë vende në botë, për të kundërshtuar bashkëpunimin e tyre me kompaninë kineze Huawei dhe rrjetin e saj 5G. Uashingtoni e ka vendosur këtë kompani në “listën e zezë” pasi vlerëson se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe e përdorë teknologjinë e saj për të spiunuar në emër të Qeverisë kineze.
Melihate Rrustemi