Të gjitha detajet nga vizita e amerikanëve në Kosovë, çka tha Grenell e çka ndodhi!
Delegacioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili udhëhiqej nga i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell, e që përbëhej nga zyrtarë të gjashtë agjencive, duke përfshirë atë të Energjisë, Tregtisë ka vizituar dje Kosovën.
Delegacioni amerikan, i cili ka zhvilluar takim në Qeverinë e Kosovës, përveç ambasadorit Grenell, përbëhej nga kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, (DFC) Adam Boehler, përfaqësues të USAID-it, kryetari i Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA.
Takimi me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës ka filluar rreth orës 18:00 dhe ka zgjatur 40 minuta. Pas takimit kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeshefit ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-së (DFC) Adam Boehler, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës mirëpresin “përfundimin e shpejtë të një marrëveshjeje të re për nxitjen e investimeve Kosovë-SHBA”.
Marrëveshjet e nënshkruara sot janë në vazhdën e marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Sipas dokumentit të nënshkruar, kjo do të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ashtu si edhe të përcaktojë veprimet lidhur me mbështetjen e Korporatës për projektet në Kosovë dhe trajtimin prej Kosovës të tyre, përcjell Telegrafi.
“Marrëveshja e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve pritet që të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ashtu si edhe të përcaktojë veprimet lidhur me mbështetjen e Korporatës për projektet në Kosovë dhe trajtimin prej Kosovës të tyre”, thuhej në dokument.
Prezent gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ka qenë edhe presidenti Hashim Hashim Thaçi dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave të dërguarin special të Presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell.
Thaçi ka thënë se Grenell ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që të arrihet marrëveshja ekonomike me Serbinë.
“Jam i lumtur dhe krenar te dekoroj ambasadorin Grenell me Medaljen Presidenciale të Meritave, Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi. Grenell e arriti këtë sukses sepse besoj në përkushtimin tonë dhe nevojën tonë për këtë marrëveshje, atë që të tjerët nuk e arritën, Grenell e bëri shpejt. Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë do të sjellë më shumë paqe mes dy vendeve”, tha presidenti Thaçi para mediave.
Thaçi ka falënderuar edhe presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke thënë se e pret me padurim vizitën e tij në Kosovë.
Pas kësaj, kryeministri Hoti, ambasadori Grenell dhe dhe kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-së (DFC) Adam Boehler, iu drejtuan mediave, duke dhënë detaje rreth takimit dhe marrëveshjes së nënshkruar.
Kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka thënë se është i lumtur ta mirëpres delegacionin amerikan në Kosovë.
“Prezenca e tyre e tregon seriozitetin për zbatimin e një marrëveshjeje, e cila po cilësohet marrëveshje historike drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve. Kishim një bisede të gjerë për të gjitha pikat e marrëveshjes, do të lëvizim shpejt drejt zbatimin të kësaj marrëveshje. Marrëveshja që kemi arritur do të krijojë mijëra vende të punës, do të shndërrojë Kosovën dhe regjionin më të integruar. Ne jemi angazhuar si Qeveri dhe kemi bërë përgatitjet e duhura të lëvizim drejt zbatim të marrëveshjes”, tha ai.
Ndërkaq, i dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se delegacioni që ai udhëheq është në Kosovë për të nisur zbatimin e marrëveshjes së 4 shtatorit.
“Jemi këtu për të treguar zotimin dhe angazhimin tonë për marrëveshjen për normalizim ekonomik. Qytetarëve të Kosovës u janë bërë shumë premtime në të kaluarën, dhe ne përmes kësaj marrëveshje po bëjmë një zotim para jush që është zbatimi i marrëveshjes ajo për çka kemi ardhur. Ajo që ne po bëjmë përmes kësaj marrëveshjeje, dhe të gjithë stafet nga SHBA dhe përmes ambasadës amerikane, është që të shprehim përkushtimin tonë. Ajo që duam ne është përmbushja e marrëveshjes dhe të ecim përpara për një zhvillim ekonomik. Zhvillimi ekonomik, vendet e punës dhe energjia, do të ndryshojë peizazhin politik të rajonit.
Grenell gjatë konferencës tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump mburret me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.
Në muajin e ardhshëm do të kemi një delegacion tjetër që do ta vizitojë Kosovën. Presidenti Trump mburret me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ishim këtu po të mos ishte ai. Trump na tha shkoni në Kosovë dhe zbatojeni marrëveshjen dhe mos e leni vetëm fjalë. Jam mirënjohës për zotimet e tij”, deklaroi ai.
Kurse, kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler theksoi se do të investojnë në Kosovë.
“Do të financojmë shumë projekte sikur autostrada e hekurudha. Kemi diskutuar edhe për një resort të skijimit. Do të shihni në ditët në vijim. Jemi shumë të përkushtuar për zhvillimin e bizneseve të vogla në Kosovë. Do të sjellim zhvillim financiar me burimet që i keni këtu”, tha ai.
Ndryshe, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit, Donald Trump.
Pikat kryesore të përmbajtjes së marrëveshjes së nënshkruar nga pala kosovare dhe ajo serbe në Washington:
– Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.
– Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen e hekurudhave Beograd-Prishtinë të nënshkruar më 14 shkurt, 2020. Për më tepër, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik.
– Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar këto:
-Autostradën e paqes
-Lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare
-Lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë
-Sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
-Projekte shtesë dypalëshe
-Prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, Serbi, e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar.
Të dyja palët do të hapin dhe operacionalizojnë objektin në pikëkalimin e përbashkët kufitar Merdare.
Të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vtit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo.
Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës.
Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të pëërdorimit të përbashkët të Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.
Të dyja palët do të shumëfishojnë burimet e tyre të energjisë.
Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku tashmë ka pajisje të tilla, të dyja palët angazhohen për heqjen e tyre dhe përpjekje tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur.
Të dyja palët do të rrisin kontrollin e pasagjerëve ajrorë, ndarjen e informacioneve midis njëra-tjetrës dhe brenda kornizës së përgjithshme të bashkëpunimit me SHBA-në në Ballkan, dhe do të angazhohen për përditësime teknologjike, për të luftuar aktivitetet keqdashëse, duke zbatuar dhe operacionalizuar sistemet e siguruara nga SHBA-ja, për kontroll dhe informacion, përfshirë: PISCES, APIS, ATS-G dhe SRTP.
Të dyja palët zotohen se do të mbrojnë dhe promovojnë liritë fetare, duke përfshirë edhe rifillimin e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, që janë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe, si dhe vazhdimin e kthimit të pronave pa trashëgimi nga periudha e Holokaustit, si dhe të pronave hebreje që nuk i ka kërkuar askush.
Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët angazhohen që të përcaktojnë një pikë kontakti, që do t’i udhëheqë këto përpjekje brenda ministrive të tyre respektive dhe do t’i koordinojë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe do t’i përditësojë të dhënat për numrin e rasteve të zgjidhura dhe ato që janë në proces, çdo vit.
Të dyja palët do të punojnë me 69 vendet, të cilat homoseksualietin e konsiderojnë si krim, që ta dekriminalizojnë.
Të dyja palët zotohen ta shpallin Hezbollahun organizatë terroriste dhe t’i përmbushin në tërësi masat për të kufizuar operacionet e Hezbollahut dhe aktivitetet financiare nën juridiksionin e tyre.
Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë.
Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin.
Presidenti amerikan, Donald Trump, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se kjo e sotmja është ditë historike.
Takimi ndërmjet dy liderëve, të Kosovës dhe të Serbisë, ka nisur ditën e enjte dhe sipas këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, janë zhvilluar bisedime “shumë të mira” dhe se të dyja palët “kanë bërë përparim të vërtetë”.
Ndërkaq, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisi më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Shtetet e Bashkuara u përfshin në këtë dialog më shumë, pasi më 4 tetor, 2019, presidenti Trump, emëroi Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm në këto bisedime.
Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq do të takohen në Bruksel të hënën, ndërsa gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen bisedime në nivel të ekspertëve.