Lajme

Urim Dakaj, kandidat për Parlamentin e Kantonit të Schaffhausen-it

27 shtatori, e diela që vjen, është ditë e votimeve në Zvicër. Krahas disa referendumeve në nivel federal, të kantoneve dhe komunave, janë disa kantone dhe komuna ku zhvillohen edhe zgjedhjet për parlamentet gjegjësisht asambletë e tyre.

Kantoni i Schaffhausen-it, në lindje të Zvicrës, është njëri ndër ta. Dhe në mesin e kandidatëve të shumtë për parlamentin e këtij kantoni, është edhe bashkatdhetari ynë, Urim Dakaj. Ai i hyn garës me shpresë për fitore dhe sidomos me synimin për të mbrojtur numrin e deputetëve të partisë që përfaqëson, SP-së, Partisë Socialdemokrate, në këtë parlament, thotë Dakaj për albinfo.ch.

I lindur në vitin 1984 në Korishë të Prizrenit, atje ka jetuar deri në vitin 1994 kur bashkë me familjen vjen në Zvicër, në Schaffhausen. Ai është i martuar dhe baba i dy vajzave: 3 dhe 1 vjeçe e gjysmë.

“Këtu mbarova shkollën 9 vjeçare dhe e kreva zanatin për kultivues dhe sanitari. Pastaj kam punuar deri në vitin 2015 në gastronomi. Kur pashë se në këtë lëmi bëheshin shumë padrejtësi ndaj punëtorëve, mendova se duhet ndërmarrë diçka që të mbrohen punëtorët”.

Kështu i shpjegon Urimi fillimet e angazhimit të tij politik, edhe pse atëbotë nuk kishte aderuar drejtpërdrejt në parti politike.

“Në vitin 2015 hyra të punoj në sindikatën më të madhe në Zvicër, Unia, si sekretar ndërsa në vitin 2016 fillova angazhimin direkt në politikë. Atë vit, si fare i panjohur, hyra në listën për kandidat në Parlamentin e Kantonit. Me votat e mia nuk arrita të hy në parlament por së bashku me të tjerët, arritëm t`i mbrojmë ulëset e SP-së aty.

Një vit më vonë, në vitin 2017 në mbledhjen e përgjithshme të SP Neuhausen u zgjodha në kryesi dhe njëherësh delegat në Kuvendin e SP të Zvicrës. Vetëm pas një viti, më 2018 në mbledhjen e përgjithshme u zgjodha kryetar i degës së SP Neuhausen, pa asnjë votë kundër, rrëfen urim dakaj për albinfo.ch.

“Në këtë vit jam kandidat për Parlamentin e Kantonit, ku synimi dhe interesi im më i madh është t`i mbrojmë vendet tona në Parlament”.

I pyetur se cilat do të jenë pikat në të cilat do të përqendrohet nëse arrin të zgjidhet në Parlamentin e Kantonit të Schaffhausen-it, ai përgjigjet: “Unë do të angazhohem për: Të drejta të barabarta, transparencë, për paga të barabarta për gratë dhe burrat, për struktura të përballueshme ditore dhe për një Neuhausen tërheqës”.

Më tutje, Dakaj tregon se është kandidat edhe në zgjedhjet që mbahen më 29 nëntor për asamblenë komunale të Neuhausenit. “Edhe këtu shpresoj se do t`i arrij votat dhe do ta marr një ulëse”, shprehet optimist ai.

“Mbi 40% e banorëve në Neuhausen janë me prejardhje të huaj. Prandaj këtu do të angazhohem edhe më shumë që ata, si të huaj të t`i gëzojnë të drejtat e barabarta dhe të mos varet realizimi i të drejtave nga ngjyra apo nacionaliteti që ka njeriu. Në Neuhausen do të kujdesem që çdo familje të ketë kushte të mira jetese por po ashtu, që Neuhauseni si komunë shumë interesante që është të ringjallet. Do të jem gjithmonë i hapur për të gjithë, t`i dëgjoj dhe t`i ndihmoj”.

Në muajt tetor dhe nëntor do të kemi tubime me banorë të Neuhausen-it dhe do t`i dëgjoj hallet e tyre. Ndërsa në fillim të nëntorit shpresoj se do të kemi një festë për shqiptarët, nëse gjendja aktuale me Covid-19 n a e lejon, pëfundon Urim Dakaj, duke ju bërë thirrje të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote (që kanë shtetësi zvicerane) që të votojnë më 27 shtator dhe, sigurisht, t`i japin votën atij.