Lajme

Rikthehet përplasja mes Bekim Jasharit e Sami Lushtakut

Në Skenderaj janë rikthyer përplasjet e vjetra në mes të kreut të kësaj Komune, Bekim Jasharit dhe kreu të Degës së PDK’së në këtë Skenderaj, Sami Lushtakut.

Jashari përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar ka akuzuar për shpifje degën e PDK’së, derisa ka thurur kritika edhe për qeverisjen e Sami Lushtakut.

“Pra ish qeverisja Lushtaku nuk kishte arritur që për 8 vite të bëjë një fshat me ujë të pijshëm, kurse me Kryetarin Jashari brenda 3 viteve janë bërë me ujë të pijshëm 14 fshatra”, ka shkruar Jashari në reagimin e tij.

Tutje Jashari në reagimin e tij ia ka numëruar Sami Lushtakut edhe një sërë çështjes që sipas tij ai ka dështuar gjatë kohë sa ka qenë kryetar i Skenderajt.

Reagimi i plotë:

Përgjigje ndaj shpifjeve të degës së PDK-së në Skenderaj

Përmes kësaj komunikate Kabineti i kryetarit, Bekim Jashari, hedh poshtë të gjitha shpifjet e PDK-së, dega në Skenderaj dhe njëherit paraqet realitetin e udhëheqjes së komunës së Skenderajt.

Kabineti i kryetarit, Bekim Jashari, sqaron opinionin publik se të gjitha deklaratat e Kryetarit Jashari, të prezantuara në dëgjimin buxhetor për vitin 2021(të mbajtur me datë 26.08.2020), në lidhje me borxhin e trashëguar janë të vërteta dhe argumentohen me dokumente konkrete, në mesin e tyre të lëshuara edhe në emër të ish Kryetarit të komunës së Skenderajt, në të cilin dokument konfirmohet se që nga vitit 2015 ka borxhe të pa paguara (dokumenti i bashkangjitur).

Sipas Ligjit mbi Menaxhimin e Financave Publike, nr. 03/L-048, neni 39, organizata buxhetore është përgjegjëse që çdo faturë të pranuar ta paguajë brenda 30 ditëve, kurse në kohën kur ka filluar qeverisja e Kryetarit Jashari ishin mbi 1 milion euro fatura të pranuara dhe të pa paguara, dhe shumë tjera që ishin dërguar tek përmbaruesit privat nga operatorët ekonomik.

Shumica e obligimeve nga ish qeverisja ishin borxhe për projektet që kishin përfunduar dhe nuk ishin paguar me kohë brenda vitit kur është bërë shpenzimi dhe kur është dashur të paguhen sipas Ligjit mbi Menaxhimin e Financave Publike.

Kur jemi tek të hyrat për vitin 2018-2019 si qeverisje e re kemi pasur rritje në të gjitha kategoritë e të hyrave në përjashtim të të hyrave nga koncesioni, si e hyrë e njëhershme për të cilin është dhënë pronë komunale.

Në lidhje me akuzat e degës së PDK-së në Skenderaj, rreth projektit të ujësjellësit “Shipol- Brus”, komuna e Skenderajt, nën udhëheqjen e Kryetarit Jashari, në Shipol ka përfunduar gypin shtesë apo gypin furnizues për Skenderaj, nga rezervuari qendror deri tek stacioni i pompimit, rregullimi i stacionit të ri të pompimit si dhe ri- aftësimi i pompës nga 100 litra në sekond në 202 litra në sekond, kurse në Brus komuna ka realizuar të gjitha obligimet e saj, që lidheshin me shpronësimin e tokave ndërsa obligimet tjera janë në përgjithësi të Qeverisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Në lidhje me këtë në qeverisjen e Kryetarit Jashari janë bërë me ujë të pijshëm 14 fshatra, në mesin e tyre edhe Polaci, për të cilin fshat kishte filluar projekti 8 vite para qeverisjes Jashari, por që nuk ishte realizuar si pasojë e keqpërdorimeve nga ish qeverisja, kurse me ardhjen e Kryetarit Jashari ky fshat është bërë me ujë të pijshëm.

Për të bërë dallimin mes keq qeverisjes së ish Kryetarit Lushtaku dhe qeverisjes së mirë të Kryetarit Jashari tregon fakti që në kohën e Kryetarit Lushtaku, me buxhet të komunës, një km ujësjellës ka kushtuar rreth 30 mijë euro, kurse në kohën e qeverisjes së Kryetarit Jashari, falë bashkëpunimit të sinqertë dhe transparent me donatorë, me financimin e Qeverinë Zvicerane në projektin e ujësjellësit në 10 fshatra, një km ujësjellës ka kushtuar 10 mijë euro, pra 3 herë më lirë. Kjo tregon se sa e ka kursyer ish Kryetari Lushtaku paranë publike.