Qeveria Hoti ndan 50 milionë euro për pagesat nga 170 euro për punëtorë
Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 100 milionë euro për ekzekutimin e masave të parapara sipas Pakos Emergjente Fiskale të cilat përfshijnë pagesat për punëtorët, penzionerët e bizneset e dëmtuara nga pandemia COVID-19.
Përmes një njoftimi për media, ekzekutivi ka bërë me dije se ka aprovuar dy propozime të Ministrisë së Financave që ndërlidhen me ndarjen e mjeteve për Pakon Emergjente Fiskale.
“Pas shqyrtimit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për ndarjen e mjeteve financiare për rimëkëmbje ekonomike në shumë prej dyzet e katër milionë e shtatëqind mijë e një qind e pesëdhjetë e dy euro (44,700,152.00 €)”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar propozimin e Ministrisë se Financave për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej pesëdhjetë milionë e pesëqind mijë euro (50,500,000.00 €), me qëllim të vazhdimit të pesë masave të tjera, të parapara me këtë pako.
Më 30 mars, qeveria e kaluar mori vendim për aprovimin e Pakos Emergjente Fiskale, i cili parashihte pagesat dhe shtesat për punëtorë e biznese private për muajt prill dhe maj.