Shkarkohet drejtori i Agjencisë për Administrim të Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është shkarkuar drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Në një njoftim në Facebok, Haxhiu ka thënë se masa e “ndërprerjes së marrëdhënies për punë” për Rrahim Ramën, vjen për shkak të “keqmenaxhimit, joprofesionalizmit e mungesës së transparencës”.
“Sot, u njoftuam se mbi bazën e të gjeturave tona, Komisioni Disiplinor për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtues, ka shqiptuar masën disiplinore ‘Ndërprerje e marrëdhënies së punës’ për drejtorin e kësaj Agjencie, për shkak të keqmenaxhimit, joprofesionalizimit, mungesës së transparencës, si dhe mosgatishmërisë për bashkëpunim në kryerje të detyrave të tij ligjore. Po ashtu i njëjti ishte zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme”, ka shkruar ajo.
Haxhiu ka bërë të ditur se më 7 prill kishte iniciuar procedurën disiplinore e më 17 prill ishte marrë vendim nga Qeveria për themelimin e Komisionit për shqyrtim të këtij rasti.