Lajme

Tahiri: Shqetësues afrimi kaq i madh i Qeverisë Kurti me Serbinë

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është shqetësuese afrimi kaq i madh i Qeverisë Kurti me Serbinë.

Ai folur edhe tentimin për krijimin e Qeverisë Hoti, derisa e ka quajtur të çoroditur përpjekjene e të dytit për t’ia zënë vendin të parit.

“Kemi një qeveri e cila po formohet mbi egot dhe aptetitet e njerëzve të fuqishëm nëpër këto dy parti politike, dhe realisht ajo ka ndodhur në fund, pra si rezultat i këtyre pazareve të dëmshme kjo qeveri i dha vetes fund në mënyrën më të turpshme të mundshme. Kur ne do të duhej të flisnim për 100 ditëshin e qeverisë dhe masat ndaj pandemisë. Ne tash jemi duke e parë të dytin duke u përpjekur të ia zërë vendin të parit, një situatë kjo kogja e çoroditur”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij kanë marrë votat për diçka tjetër, e tani po veprojnë krejtësisht ndryshe.

“E kemi parë se pretendimet e tyre, edhe të Vetëvendosjes edhe të LDK-së për kapësit e shtetit se si tashmë ata kapësit e shtetit po i bëhen partner të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo është jashtëzakonisht e pandershme në raport me qytetarët dhe votuesit e tyre. Dhe në fund të fundit, pse nuk e nxjerrin për kryeministër njeriun që e kanë pasur kandidat deri dje mirëpo e kanë nxjerrë një fytyrë tjetër. Pra, të gjitha këto i shohim në vazhdimësi një lojë të turpshme të LDK-së e të Vetëvendosjes karshi votuesve. Në emër të diçkaje tjetër i morën votat dhe tashmë po veprojnë krejt diçka tjetër”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij këto po i bëjnë për shkak të njerëzve të fuqishëm brenda partive të tyre.

“Për interesa të tyre dhe për njerëz të fuqishëm brenda partive të tyre, pra nëse flasim për Vetëvendosjen e cila ka folur për kapjen e shtetit ne e pamë se si për një periudhë edhe në ikje i dërguan aktivistët e tyre nëpër ndërmarrjet publike”, ka thënë Tahiri.

Tutje ai ka kritikuar Qeverinë Kurti për raportin me SHBA-në, që sipas tij, e ka degraduar krejtësisht. Derisa sipas Tahirit kjo Qeveri gjithashtu ka humbur betejën me Serbinë, dhe e ka lejuar që të hyjë në veri të Kosovës.

“Është shqetësuese afrimi kaq i madh i kësaj Qeverie me Serbinë. Pra, sot kemi një komunikim pa ndërmjetësim mes ministrave të Shëndetësisë. Kemi në vazhdimësi një rrëshqitje të madhe të kësaj Qeverie në raport me Serbinë, është shqetësuese dhe më shumë frikësuese. Është shumë mirë që kjo Qeveri ka rënë”, ka thënë Tahiri.