Lajme

PDK-ja kërkon dorëheqjen e Vitisë dhe Sveçlës rreth vdekjes tragjike të 26-vjeçarit

Thirrje për hetime dhe dorëheqje të ministrave Vitia dhe Sveçla janë bërë të hënën nga partitë kryesore opozitare në Kosovë, pas vdekjes tragjike të 26-vjeçarit gjatë karantinimit në Qendrën Studentore të Prishtinës.

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismajli, gjatë një konference shtypi, ka thënë se “shteti dështoi ta mbrojë atë”, duke e kërkuar dorëheqjen e Vitisë dhe Sveçlës.

“Sot, më e pakta që do të duhej të ndodhte – është dorëheqja e Ministrave Arben Vitia dhe Xhelal Sveçla, e cila do të duhej të vinte të paktën si një akt moral”, ka kërkuar ai.

Ismajli po ashtu është shprehur i shqetësuar nga “faktet që po nxirren nga qytetarët e karantinuar në Qendrën Studentore, sipas të cilëve – trajtimi i tyre nuk është i barabartë, pasi që disa persona dyshohet se janë liruar nga karantinimi me lidhje personale me pushtetin, dy-tri ditë pas riatdhesimit”.

“Ndërsa, disa të tjerë vazhdojnë të mbahen aty deri në dy javë – ashtu siç ishte vendosur me masat e ndërmarra nga Qeveria”, ka thënë ai.