Kusari-Lila: Thaçi e Mustafa janë në dijeni se po e shkelin Kushtetutën, andaj po i fshehin letrat
Kryetarja e Alternativës dhe deputetja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, vlerëson se si presidenti Hashim Thaçi ashtu edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, janë të vetëdijshëm se po e shkelin Kushtetutën.
E ftuar në emisionin “Desku” në KTV, ajo ka thënë se të dy kanë sinkronizuar veprimet në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve nga zgjedhjet e fundit dhe se gjithë këtë e ka quajtur proces të montuar për të rrëzuar VV-në nga pushteti.
“Së pari, dy letra thuhet se kanë shkuar te kreu i LDK-së, flasim për një proces të montuar me mungesë totale të transparencës dhe natyrisht aktivitete të sinkronizuara Thaçi – Mustafa. Letrat që i shkonin më herët Kurtit, qoftë në adresë të VV-së, qoftë në adresë të Kryeministrisë, më parë dilnin në media se që shkonin në zyrat e subjektit. Tash flasim për një terr, të dy palët janë të bindura se janë në një proces të shkeljes së Kushtetutës, për këtë ata nuk i publikojnë këto letra”, ka thënë Kusari.
Ajo e ka quajtur shou mediatik atë që po bën Thaçi në këtë kohë me tentimin për t’i hapur rrugë një qeverie të rë. Të tillë e ka quajtur edhe ftesën që u bëri partive politike ditë më parë për konsultime.
“Kurti nuk ka kthyer përgjigje, s’ka thënë se nuk ka mandatar, andaj presidenti shkeli Kushtetutën duke përcaktuar data e afate, ai e vuri veten edhe në kompetenca të ligjvënësit e edhe të ekzekutuesit. Krye më vete vendosi që pasi nuk mori emër për mandatar, të thërras partitë për konsultime. Ku u bazua? Në cilën pikë të Kushtetutës? Plani i Kurtit këto ditë është që të jetë i angazhuar në menaxhim të situatës me pandeminë, pastaj kur të vijmë në një rrethanë ku mund të kemi proces zgjedhor, mandatin t’ia kthejmë sovranit”, tha Kusari-Lila.
Po ashtu ka thënë se mocioni i mosbesimit i iniciuar nga LDK-ja, ka vetëm një rezultat, ose të paktën do të duhej të kishte – zgjedhjet e reja.
“Kushtetuta jonë nuk është si e vendeve të tjera, ku mund të bëjë qeverinë kushdo që siguron shumicë të thjeshtë. Mocioni i mosbesimit sipas Kushtetutës së Kosovës, prodhon veç një rezultat, zgjedhje. Një parti që e inicion mocionin, duhet të kërkojë marrjen e pushtetit përmes votës, e jo si në këtë rast siç po tentohet, që partia e dytë në bashkëpunim me të katërtën e të pestën. Është e paprecedentë kjo situatë”, ka thënë ajo.
Ajo ka vlerësuar edhe rolin e SHBA-së në gjithë këtë, por edhe shfrytëzimin e situatës nga LDK-ja duke i thirrur në proamerikanizëm.
“Marrëdhëniet me SHBA-në, e kuptoj se kanë pasur një situatë që ka mundur të evitohet. Por e kam thënë edhe më parë, politika e SHBA-së është e pazëvendësueshme për Kosovën, pa të s’do të ishim ku jemi, as të lirë e as të pavarur, por është e papranueshme të thuhet, siç tha Shala, se Kurti nuk është i pranueshëm për SHBA-në. Të bëjmë këso manovra, është e pasinqertë”, ka thënë ajo. “Me ambasadorin Grenell, duhet të diskutohen këto çështje kur të jenë në rrafsh, në momentin kur të krijohen kushtet për proces të dialogimit”.